Igli Tare në telashe, Liverpooli ankohet në FIFA

  • 05 July 2019 - 10:07
Igli Tare në telashe, Liverpooli ankohet në FIFA

Liverpooli është ankuar në FIFA për Lazion, pasi që beson se klubi italian nuk i përfilli rregullat e transferimit në tentim për ta bindur futbollistin Bobby Adekanye të transferohet në Itali. Pasi që Igli Tare është drejtor sportiv i Lazios, ai është përgjegjësi kryesor për këtë rast.

I riu i Liverpoolit Bobby Adekanye ka kaluar në Serie A si transferim i lirë pasi që kontrata e tij me Liverpoolin përfundoi këtë verë dhe futbollisti nuk pranoi të nënshkruajë kontratë të re.

Megjithatë, drejtuesit e Liverpoolit besojnë se Lazio e kishte kontaktuar sulmues 20-vjeçar gjatë kohës sa ai kishte ende kontratë me klubin anglez, për ta bindur të mos nënshkruajë kontratë të re.

Sipas rregullave të transferimeve të FIFA-s, klubet nuk kanë të drejtë të flasin me futbollistë nën moshën 23-vjeçare në gjashtë muajt e fundit të kontratës së tyre me ndonjë klub.

Por, Adekanye u duk se e pranoi se Lazio e kishte kontaktuar atë kur e dha një intervistë për Voetbalzone.nl në mars. 

“Nuk është e vërtetë që unë kam arritur marrëveshje me Lazion. Ata janë ndër klubet e interesuara për mua, por asgjë nuk është 100 për qind e vendosur ende”, ishte shprehur Adekanye.

“Unë kam dëgjuar edhe nga Barcelona, ndërsa nga Holanda ka pasur interesim nga Willem II. Nuk mund ta emëroj të gjithë listën sepse do të ishim të zënë deri nesër. Por, ka pasur interesim, në mes të tjerash, nga Holanda, Italia dhe Spanja”.

Holandezi Adekanye u largua nga Liverpooli me qëllim për të luajtur për më shumë minuta. Lazio i pagoi 242 mijë funte për sulmuesin për t’i mbuluar shpenzimet e tij të stërvitjes, pasi e siguroi transferimin e tij.

Drejtuesit e Liverpoolit e kanë njoftuar FIFA-n për këtë rast, por ende nuk dihen nëse ata do ta padisin edhe formalisht klubin italian.

(Kosova Sot Online)