Ndikimi shqiptar në UEFA

  • 05 July 2019 - 13:10
Ndikimi shqiptar në UEFA

Shqiptarët kanë lëshuar rrënjë në UEFA. Janë afër 20 shqiptarë nga Shqipëria, Kosova por edhe nga Maqedonia Veriore që kryejnë funksione të rëndësishme në shtëpinë e futbollit evropian, ku deri para pak vitesh Shqipëria ishte veç një anëtare si të gjitha shtetet tjera evropiane. Por, tani gjërat kanë ndryshuar.

Se futbolli mbarëshqiptar ka shënuar përparim të madh në vitet e fundit e vërteton fakti se shqiptarët e kanë shtuar prezencën në shtëpinë e futbollit evropian, në UEFA, dhe në saje të kësaj edhe ndikimin. Janë afër 20 shqiptarë që kryejnë funksione në qeverinë e futbollit evropian.

Armand Duka është shqiptari më me ndikim në UEFA, ku mban pozitë shumë të lartë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) është anëtar i organit më të rëndësishëm të UEFA-s, Komitetit Ekzekutiv, ku edhe vendoset gjithçka e madhe për futbollin e kontinentit të vjetër. 

Përpos këtij funksioni, Duka i mban edhe dy pozita tjera në UEFA. Ai është anëtar i Komisionit

“Hat Trick”, e po ashtu edhe anëtar i Komitetit për Infrastrukturë dhe Siguri të stadiumeve.

Në anën tjetër, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi e kryen një funksion në UEFA. Ai është anëtar i Komisionit“Hat Trick”.

Funksione në UEFA kryejnë edhe sekretarët e të dyja federatave. Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, bën pjesë në Komitetin e Futbollit. Kurse, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, është anëtarë i Komitetit Ligjor të UEFA-s. Pjesë e këtij organi është edhe Artan Hajdari, ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Ndërkohë, zëvendës-sekretari i FFK-së, Arianit Ahmeti, është delegat i ndeshjeve. Këso detyre kryejnë edhe Eduard Dervishi, Edvin Libohova, Bujar Kasmi dhe Keidi Tomori, të gjithë këta nga Shqipëria.

Shqiptarët kanë lëshuar “rrënjë” edhe në Komitetin e Federatave Kombëtare. Aty funksion kryen Muhamed Sejdini, i cili është president i Federatës së Futbollit të Maqedonisë Veriore.

Në administratën e UEFA-s funksion të lartë kryen edhe Denis Bastari. Ai është edhe menaxher në projektin e famshëm të UEFA-s, “Hat Trick”.

Ka edhe shumë shtetas të Shqipërisë që kryejnë funksione në UEFA. Edvin Libohova është anëtar i Komitetit për “Fair Play”. Kurse, Sokol Jareci është pjesë e panelit të Konventës së Gjyqtarëve.

Ndërkohë, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj, është pjesë e panelit për Infrastrukturën e Stadiumeve. Kurse, Aldi Topçiu i FSHF-së është inspektor i Disiplinës. Po ashtu, Gazmend Malo nga FSHF është pjesë e Komitetit të Medias në UEFA.

(Kosova Sot Online)