Carrasco: Nuk e dua Neymarin në Barcelonë

  • 05 July 2019 - 13:56
Carrasco: Nuk e dua Neymarin në Barcelonë

Neymari vazhdon të flitet për një transferim të mundshëm në Barcelonë, mirëpo legjenda në Camp Nou, Lobo Carrasco, e kundërshton idenë e kthimit të brazilianit nga Paris Saint-Germaini.

Spekulimet për kthimin e Neymarit në Barcelonë s’kanë të ndalur. Dy vjet pasi ai u bë lojtari më i shtrenjtë në histori të futbollit kur u transferua në Paris Saint-Germain, tani raportohet se Neymari dëshiron të largohet nga kryeqyteti francez.

Megjithatë transferimi i brazilianit në Spanjë nuk do të jetë një proces i lehtë. Fillimisht, Barcelona do të duhet të arrijë marrëveshje me PSG-në, që kërkon shumë të madhe parash dhe lojtarë tjerë në shkëmbim për Neymarin.

Për më tepër, Barcelona duhet të sigurohet edhe që nuk i shkel rregullat për ndershmëri financiare të FIFA-s e UEFA-s. Katalonasit duan ta transferojnë edhe Neymarin e edhe Antoine Griezmannin këtë verë, mirëpo ky synim mund të bëjë që Barcelona të përballet me dënime nga shtëpitë e futbollit.

Fillimisht, UEFA mund ta përjashtojë atë nga garat evropiane, ndërsa FIFA mund t’ia ndalojë transferimin e futbollistëve për disa afate kalimtare. Kjo bën që puna për këtë transferim të mos shkojë aq shpejt sa mund të kenë dëshirë tifozët e Barcelonës. 

Por Carrasco, i cili i kaloi 11 vjet si pjesë e ekipit të parë në Camp Nou mes viteve 1978 dhe 1989, e kundërshtoi idenë e kthimit të Neymarit në një intervistë të dhënë në “El Chiringuito”.

“Nuk dua që Neymari të kthehet. Unë e dua Griezmannin, një qendërmbrojtës, një mbrojtës të krahut të majtë dhe një qendërsulmues”, u shpreh Carrasco.

“Kjo është rruga që unë do ta ndiqja në Barcelonë, nëse do të isha Bartomeu [presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu], Lionel Messi, drejtori sportiv apo trajneri”.

(Kosova Sot Online)