Pogba mungon në stërvitjet e Man Unitedit

  • 05 July 2019 - 14:27
Pogba mungon në stërvitjet e Man Unitedit

Mungesa e Paul Pogbas në stërvitjet parasezonale të Manchester Unitedit këtë javë ka ngjallur edhe më shumë spekulime për të ardhmen e tij afatgjatë.

Mesfushori francez e përdori një udhëtim për promovim personal në Japoni, në qershor, për të deklaruar se kjo verë mund të jetë momenti i duhur që ai ta gjejë një sfidë të re diku tjetër.

Por, përderisa shumica e bashkëlojtarëve të tij u kthyen në Mançester për t’i filluar stërvitjet përgatitëse për sezonin e ardhshëm, Pogba ende nuk është kthyer. Për këtë gjë ai ka marrë leje nga trajneri Ole Gunnar Solskjaer, pasi që ka qenë shumë i ngarkuar me ndeshje futbolli gjatë 16 muajve të fundit.

Mediat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportojnë se Pogba do të niset për në Australi së shpejti, ku do të takohet me ekipin e parë për ndeshjen e parë të turneut parasezonal, kundër Perthit.

E ardhmja e Pogbas ka qenë tema kryesore në botën e futbollit gjatë muajve të fundit, veçanërisht gjatë kohës sa trajner ishte Jose Mourinho. Megjithatë, edhe pas largimit të portugezit, në mars, francezi deklaroi se “Real Madridi është klubi i ëndrrave për çdo lojtar”, por shtoi se është i lumtur në Old Trafford. 

Real Madridi dhe Juventusi kanë qenë vazhdimisht të spekuluar për blerjen e Pogbas, i cili ka kontratë me “Djajtë e kuq” deri në vitin 2021. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur asnjë ofertë bindëse nga këto klube për klubin anglez.

Orari i ndeshjeve të Pogbas që nga marsi i vitit 2018 tregon pse atij iu dha pushim më i gjatë nga Manchester Unitedit. Ai luajti në dhjetë ndeshjet e sezonit për Manchester Unitedit, gjatë verës luajti dhe triumfoi me Francën në Kupën e Botës dhe menjëherë e filloi sezonin e ri me Manchester Unitedin.

Bashkë me Marcus Rashfordin dhe David De Gean, mesfushori i bëri 47 paraqitje gjatë sezonit të kaluar dhe askush tjetër nuk bëri më shumë sesa ai.

Edhe Rashfordit dhe De Geas u është dhënë pushim ekstra nga klubi këtë verë dhe Pogba është angazhuar më shumë edhe nga ekipi kombëtar sesa këta dy futbollistë, duke i bërë tri paraqitje me mbi 90 minuta lojë vetëm këtë verë.

(Kosova Sot Online)