Egjipti i Salahut e shkarkon trajnerin pas dështimit të hershëm në Kupën e Kombeve të Afrikës

  • 07 July 2019 - 12:47
Egjipti i Salahut e shkarkon trajnerin pas dështimit të hershëm në Kupën e Kombeve të Afrikës

Trajneri i Egjiptit, Javier Aguirre, u bë viktima e parë e Kupës e Kombeve të Afrikës, pasi u shkarkua vetëm disa orë pasi “ushtarët” e tij u eliminuan nga Afrika e Jugut në fazën e 1/8-ave.

Egjipti humbi 1-0 me një gol të shënuar në minutën e 85-të nga Thembinkosi Lorch, në një sfidë ku “faraoni” Salah u bllokua nga kundërshtarët, duke mos lënë shenjë në fushën e blertë.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Egjiptit, Hany Abo Rida, njoftoi shkarkimin e trajnerit meksikan si dhe dha dorëheqjen e tij, në më pak se tre orë pas ndeshjes.

Abo Rida gjithashtu u bëri thirrje anëtarëve të bordit të tij drejtues të dorëhiqen, duke e quajtur dorëheqjen e tij si një “detyrim moral, edhe pse shoqata e futbollit i kishte dhënë ekipit kombëtar mbështetjen e plotë materiale dhe morale”.

Aguirre u tha gazetarëve pas humbjes se merrte i vetëm përgjegjësinë e dështimit, por ishte krenar për të gjithë lojtarët e tij.

“Loja ishte e hapur dhe pa shumë shanse. I vetmi ndryshim ishte fakti se Afrika e Jugut arriti të shënonte.”

Aguirre, 60 vjeç, e mbyll me Egjiptin pas më pak se një viti punë, por ka vendosur një rekord unik, duke punuar si trajner në 4 kontinente të ndryshme.

(Kosova Sot Online)