Federata e Amerikës Jugore i reagon Messit: Është e papranueshme të bësh akuza të pabaza

  • 07 July 2019 - 14:52
Federata e Amerikës Jugore i reagon Messit: Është e papranueshme të bësh akuza të pabaza

Federata e Futbollit të Amerikës Jugore (CONMEBOL) i ka reaguar ashpër Lionel Messit, duke i quajtur të papranueshme dhe të pabazuara akuzat e yllit të Argjentinës, i cili shpërtheu në kritika të mëdha për korrupsion dhe referim ndaj kësaj federate, pas ndeshjes për vend të tretë kundër Kilit të shtunën.

Messi bashkë me kilianin Gery Medelin u përjashtuan direkt me kartonë të kuq në fitoren e Argjentinës 2:1 kundër Kilit në ndeshjen të shtunën. Sulmuesi i Barcelonës, që u përjashtua në minutën e 37-të, nuk u kthye më në fushë as për ta marrë medaljen e bronztë në shenjë proteste.

32-vjeçari shpjegoi më pas se nuk mori pjesë në ceremoni për shkak se kishte ndier se janë bërë padrejtësi ndaj Kombëtares bardhekaltër.

“Nuk shkova për shkak të gjithë asaj që ndodhi. Mendoj se ne nuk duhet të jemi pjesë e këtij korrupsioni, për shkak të mungesës së respektit që ata e kanë treguar ndaj nesh në këtë turne”, shpjegoi Messi.

CONMEBOL i është përgjigjur pesë herë fituesit të Topit të Artë me ton të ashpër.

“Në futboll, nganjëherë fiton e nganjëherë humb dhe shtylla thelbësore e ndershmërisë në lojë është ta pranosh rezultatin me nder dhe respekt”, thuhet në reagimin e CONMEBOL.

“E njëjta vlen edhe për vendimet e gjyqtarëve, sepse edhe ata janë njerëz dhe mund të përmirësohen gjithmonë”, thuhet tutje në reagim.

“Është e papranueshme se nga rrënjët e garës, ku 12 ekipe garojnë në kushte të barabarta, janë bërë akuza të pabaza, të cilat janë të pavërteta dhe e vënë në pikëpyetje integritetin e Kupës së Amerikës”. 


(Kosova Sot Online)