Drejtori i Manchester Cityt: Aro Muriç është e ardhshme e ndritshme e jona

  • 09 July 2019 - 11:50
Drejtori i Manchester Cityt: Aro Muriç është e ardhshme e ndritshme e jona

Drejtori i Manchester Cityt, Txiki Begiristain e ka lavdëruar portierin e Kosovës, Arijanet Muriç, për të cilin thotë se kampioni i Anglisë llogarit për të ardhmen, pas huazimit të tij në Nottingham dhe vazhdimit të kontratës deri në vitin 2024

Arijanet Muriç është huazuar sot në Nottingham Forest për një sezon.

Duke e pasur parasysh konkurrencën e fortë me Ederson e Claudio Bravo, trajneri Pep Guardiola vendosi ta dërgojë portierin e Kosovës për një vit në klubin nga Championshipi, në mënyrë që të mbrojë në vazhdimësi dhe të bëjë më shumë përvojë.

Besimin ndaj portierit shqiptar nga Mali i Zi e ka konfirmuar City sot duke ia vazhduar atij kontratën edhe për tri vjet, që nënkupton se Muriç do të jetë pjesë e klubit nga “Etihad Stadium” së paku deri në vitin 2024.

Gjiganti i portës shihet si e ardhme e të kaltërve. 

“Aro është një perspektivë fantastike dhe e ka një të ardhme mjaft të ndritshme në këtë klub. Ai tashmë e ka shfaqur besimin e tij dhe aftësitë gjatë rrugëtimit tonë në Carabao Cup sezonin e fundit dhe ai po bëhet gjithnjë e më i mirë”, deklaroi fillimisht drejtori i Cityt.

“Qëndrimi i tij, fokusi dhe qetësia i kanë impresionuar të gjithë. Ne jemi të gëzuar që ai e ka vazhduar kontratën e tij deri në vitin 2024”, ka përfunduar Begiristain.

Aro Muriç është bërë pjesë e rëndësishme edhe në Përfaqësuesen e Kosovës.

(Kosova Sot Online)