Strategjia e Barcelonës për të shpenzuar sa më pak për Neymarin

  • 10 July 2019 - 10:34
Strategjia e Barcelonës për të shpenzuar sa më pak për Neymarin

Operacioni për të kthyer në “Camp Nou” Neymarin ka nisur. Edhe pse presidenti i “blaugranave”, Bartomeu, është shprehur një ditë më parë se gjithçka ishte e njëjtë dhe asgjë nuk kishte ndryshuar nga e premtja e kaluar, realiteti është se të dy klubet, PSG dhe Barcelona, kanë filluar të luajnë kartat.

Leonardo, drejtor sportiv i PSG-së, tha të hënën se nëse ka një ofertë të mirë, ata do të ishin të gatshëm ta shisnin lojtarin. Deklaratë që hedh poshtë thënien e mëparshme të Bartomeut se klubi francez nuk e shet Neymarin.

Presidenti “azulgrana” i ka fshehur kartat e tij, sepse e di që duhet të jetë i kujdesshëm, në mënyrë që kushtet e transferimit të jenë më të favorshme. Për momentin, Neymar është në rebelim, një pikë kjo në favor të Barcelonës. Nëse 27-vjeçari vazhdon të mbajë qëndrime kundërshtuese ndaj klubit, çmimi i lojtarit do të pësonte ulje të ndjeshme në ditët e fundit të merkatos verore. 

Barcelona dhe lojtari mund “ta tendosin litarin”, por gjithashtu duhet të jenë të vetëdijshëm për masën në të cilën mund ta mbajnë këtë strategji.

PSG nuk do të presë përgjithmonë dhe, në një moment, parizienët mund të mbyllin derën e daljes lojtarit.

Paralelisht me lëvizjet e Neymar, Barcelona ka planifikuar një plan veprimi për të nënshkruar me lojtarin. Klubi “azulgrana” nuk do të paguajë 222 milionë euro që përfitoi nga PSG nga klauzola e largimit. Drejtuesit “Blaugrana” besojnë se lojtari ka humbur vlerën që kishte kur e shitën. Edhe “amortizimi” i dy viteve në Paris ia ul ndjeshëm çmimin.

Për të blerë Neymarin Barça ka nevojë për financim, që mund ta sigurojë duke shitur disa lojtarë. Janë tre kandidatë kryesorë për t’u larguar: Coutinho, Dembélé dhe Malcom.

Braziliani (Coutinho) është thuajse i larguar, ndërsa shitja e Malcolm do të ishte e detyrueshme nëse Neymar vjen, sepse duhet të lirohet një vend për futbollistët ekstrakomunitarë.

Neymar do të duhet të pranojë ulje të pagës, por edhe të heqë dorë nga padia për bonusin e përfituar nga rinovimi i vitit 2017.

Barcelona i premtoi 40 milionë euro për vazhdimësinë, por Neymar mori këstin e parë prej 14 milionësh dhe menjëherë pas kësaj shkoi te PSG, që pagoi klauzolën e largimit.

(Kosova Sot Online)