Anketa: Futbollistja Rapinoe do ta mposhte Trumpin në zgjedhjet presidenciale 2020

  • 10 July 2019 - 16:04
Anketa: Futbollistja Rapinoe do ta mposhte Trumpin në zgjedhjet presidenciale 2020

Jo vetëm që Megan Rapinoe nuk dëshiron ta vizitojë presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trumpin, në Shtëpinë e Bardhë, por ajo mund edhe ta largojë atë nga pozita e presidentit, sipas një ankete të publikuar të martën.

Megan Rapinoe, 34-vjeçare, e mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme turneun e Kupës së Botës të dielën, duke e shënuar golin e parë në fitoren me rezultat 2:0 të SHBA-së në finale të këtij turneu, kundër Holandës. Atë ditë në Lyon, SHBA-ja e fitoi titullin e katërt të kampiones botërore.

Kapitenia e zëshme e SHBA-së kishte thënë në fillim të turneut se nuk do ta vizitonte Shtëpinë e Bardhë edhe nëse skuadra e saj e fitonte trofeun dhe Donald Trump i ftonte ato.

Trumpi iu përgjigj duke e kritikuar Rapinoen në Twitter. Ai e përgëzoi skuadrën për fitoren e tyre në ndeshjen e parë, mirëpo i tha se një herë duhet ta fitojë trofeun e pastaj të fillojë të flasë.

Të hënën, Rapinoe tha se skuadra do ta vizitonte Kongresin e SHBA-së, mirëpo jo Shtëpinë e Bardhë, nëse i kërkohej një gjë e tillë.

Një ditë më vonë, një kompani demokratike, Public Policy Polling, e publikoi një anketë, pas kërkesave të shumta nga publiku. Në këtë anketë, qytetarët ishin pyetur se a do ta votonin për president në zgjedhjet presidenciale 2020 Megan Rapinoen apo Donald Trumpin.

“Ne kemi gjetur që Rapinoe ka një për qind më shumë mbështetje për t’u bërë presidente sesa Trumpi”, thuhet në anketë.

Rapinoe i mori 42 për qind të votave, ndërsa Trumpi 41 për qind. Pjesa tjetër e të anketuarve kishin qenë të pavendosur, mirëpo shumica prej tyre kishin votuar për Hillary Clintonin në zgjedhjet presidenciale 2020, kështu që Rapinoe do ta kishte më të lehtë ta fitojë edhe besimin e tyre. 

(Kosova Sot Online)