Rey Manaj largohet nga "makthi" Inter, firmos për 5 vite në Spanjë

  • 11 korrik 2019 - 14:32
Rey Manaj largohet nga

Frymëmarrje për arkat e Interit dhe dritë në fund të tunelit për Rey Manaj. Pas një kalvari të gjatë huazimesh, sulmuesi i kombëtares shqiptare ka bindur më në fund një skuadër për të blerë përfundimisht kartonin e tij. 

Që prej ditës së sotme, bomberi i lindur në Lushnje do të jetë zyrtarisht pjesë e Albacete në Segunda Division, kategoria e dytë në Spanjë. Për kartonin e sulmuesit që shënoi 7 gola në 30 takime në sezonin e shkuar, Albacete pagoi plot 2.5 milionë euro. 

"Ne jemi shumë të lumtur për këtë nënshkrim. Manaj është një lojtar i ri dhe ne e kam ndjekur atë për një kohë të gjatë. Ai na jep gëzim në të tashmen dhe e dimë se ai do të na japë edhe më shumë gëzim në të ardhmen. "-tha drejtori sportiv Mauro Perez në faqen e internetit të klubit. 

Manaj ka nënshkruar një marrëveshje pesëvjeçare dhe e lë Interin. Me zikaltërit, Manaj luajti vetëm gjashtë ndeshje për ekipin e parë. Roberto Mancini i dha mundësinë të debutojë kundër Cagliarit në dhjetor të vitit 2015, së bashku me pesë paraqitjet e gdhendur në mes të Serie A dhe Kupës së Italisë.

(Kosova Sot Online)