Pochettino e pranon: Ka shumë të interesuar për Eriksenin

  • 16 July 2019 - 17:23
Pochettino e pranon: Ka shumë të interesuar për Eriksenin

Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, e pranon se mesfushori Christian Eriksen ka ngjallur shumë interesim gjatë këtij afati kalimtar të verës, duke i nxitur kështu spekulim për një largim të mundshëm të danezit.

Mesfushori danez, i cili tashmë e ka filluar vitin e fundit të kontratës së tij me klubin londinez, ka sugjeruar se mund të largohet nga Tottenhami gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Ai ka qenë i lidhur me një transferim të mundshëm në Spanjë, ku Real Madridi ka shprehur interesim që një kohë të gjatë për 27-vjeçarin. Megjithatë, Erikseni ka edhe të tjera destinacione të mundshme në Madrid, pasi që edhe Atletico Madridi është në garë për të.

Pochettino është i vetëdijshëm për interesimin e disa klubeve të mëdha, mirëpo ai ende shpreson se Erikseni do të nënshkruajë kontratë të re me Tottenhamin dhe do të qëndrojë në skuadër edhe përtej sezonit të ardhshëm.

“Shpresoj se ai do të qëndrojë. Mendoj se ai është një lojtar i mrekullueshëm, njëri ndër më të talentuarit në futboll. Pas pesë vjetëve pune me të, jam i sigurt për mënyrën e lojës së tij dhe shpresoj se të qëndrojë”, ka thënë Pochettino.

“Por, ju e dini, ka shumë interesim për të. Shpresoj se do të qëndrojë, por nuk e di se çfarë do të ndodhë me këtë gjë”. 

(Kosova Sot Online)