Mihajloviç tregon se si reagoi kur e kuptoi se vuan nga leukemia

  • 18 July 2019 - 15:04
Mihajloviç tregon se si reagoi kur e kuptoi se vuan nga leukemia

Kur mjekët e kishin diagnostikuar me sëmundjen e rëndë të leukemisë, Sinisa Mihajloviç kishte menduar se doktorët po bënin shaka. Trajneri serb e ka rrëfyer momentin kur stafi mjekësor ia kishte kumtuar lajmin më të keq të jetës së tij duke ia bërë me dije se po sfidohet nga leukemia.

“Si kam reaguar kur më kanë thënë se isha i sëmurë? Nuk mund të besoja në fillim. Mendova se ishte ndonjë lloj shakaje”, ka thënë Mihajloviç.

Ish trajneri i Serbisë dhe i disa klubeve italiane, si Catania, Fiorentina, Sampdoria, Milan, Torino dhe së fundmi Bologna menjëherë ka gjetur forcë për t’i shpallur “luftë” sëmundjes së leukemisë, të cilën beson se do ta kalojë me sukses.

“Nuk do të dorëzohem. Nuk do të dorëhiqem nga detyra e trajnerit. Do ta luftojë me gjithë forcën time”, ka thënë ish futbollisti i Interit, Romës, Lazios, Sampdorias, Crvena Zvezdës dhe Vojvodinës, transmeton Express.

Mihajoviç po i pret rezultatet e detajuara të analizave të cilat do ta përcaktojnë gjendjen e saktë shëndetësor të tij. Pastaj do t’i përcaktohet terapia. Nëse gjithçka shkon në rregull, Mihajloviç do të mund t’i kthehet punës së trajnerit pas tre muajsh sa do t’i kalojë në procesin e terapisë.

(Kosova Sot Online)