Kololli drejt hapave të Berishës dhe Rrahmanit, afër kalimit në Serie A

  • 18 korrik 2019 - 15:25
Kololli drejt hapave të Berishës dhe Rrahmanit, afër kalimit në Serie A

Benjamin Kololli mund të largohet nga Zurich këtë verë dhe t’i bashkohet shokëve të tij të Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmanit dhe Valon Berishës, në ligën elitare italiane, Serie A.

Sipas mediave italiane, mesfushori i klubit zviceran dhe i Kombëtares verdhekaltër, Kololli mund t’i bashkohet Bolognas këtë afat kalimtar veror, pas paraqitjeve të mira në Superligën e Zvicrës dhe në Ligën e Evropës sezonin e kaluar.

27-vjeçari pati një sezon të shkëlqyer me Zurich, për të cilin i realizoi 14 gola dhe 8 asiste në 41 paraqitje në të gjitha garat. Ai ka qenë edhe pjesë kyce e Kombëtares së Kosovës në suksesin e saj në Ligën e Kombeve, po ashtu.

Kololli, i cili luan shumë mirë me të dy këmbët edhe është në gjendje të aktivizohet si mbrojtës, mesfushor dhe sulmuesi në krahun e majtë të fushës, shkëlqeu në një ndeshje ndaj Napolit në Ligën e Evropës duke shënuar një gol të bukur.

Bologna ka shfaqur interesim të madh për të këtë verë, sipas gazetarit të mirënjohur të Sky Sport Italia, Gianluca Di Marzio dhe disa mediave të tjera italiane.

Në Bologna, Kololli do t’i bashkohej Blerim Xhemailit, shqiptarit nga Maqedonia që e ka përfaqësuar Zvicrën në arenën ndërkombëtare.

Kololli do të bëhej lojtari i tretë i Kombëtares dardane që do të aktivizohej në Serie A, pas Valon Berishës së Lazios dhe Amir Rrahmanit, i cili iu bashkua Hellas Veronas këtë muaj.

(Kosova Sot Online)