Kundërshtari i Kosovës bëhet me trajner të ri?

  • 19 July 2019 - 11:29
Kundërshtari i Kosovës bëhet me trajner të ri?

Mali i Zi mund të bëhet shumë shpejt me trajner të ri. Faruk Hadzibegic pritet të emërohet selektor i ri i kundërshtarit të Kosovës në kualifikimet e Euro 2020. Boshnjaku pritet ta zëvendësojë trajnerin e shkarkuar serb, Ljubisa Tumbakovic, i cili kishte refuzuar ta drejtonte ekipin malazez në ndeshje me “Dardanët”

Dilemat duket se janë hequr tashmë: Faruk Hadzibegic do të jetë selektor i ri i Malit të Zi, shkruan “Dnevne novine”.

Përfaqësuesja e Malit të Zi mbeti pa trajner që nga ndeshja me Kosovën, në kualifikimet e Evropianit 2020 pasi trajneri Ljubisa Tumbakovic kishte refuzuar ta drejtonte ekipin ndaj “Dardanëve” dhe rrjedhimisht edhe ishte shkarkuar nga ky post.

Nga ajo kohë, Federata Malazeze e Futbollit ishte në kërkim të trajnerit të ri dhe duket se më në fund e ka gjetur atë.

61 vjeçari, legjendë e dikurshme e ish-Jugosllavisë ka arritur tashmë marrëveshje me presidentin e Federatës Malazeze të Futbollit, Dejan Savicevic.

“Hadzibegic është njëri prej kandidatëve më të mirë. Mali i Zi ka nevojë që ta zgjedh sa më shpejt trajnerin, i cili nuk ka barriera në komunikim me lojtarët”, kishte thënë Savicevic ditë më parë.

Hadzibegic që nga muaji mars është pa punë, ndërsa një pjesë të mirë të karrierës si trajner e ka kaluar në Francë, por një kohë ishte edhe selektor i Bosnje e Hercegovinës.

(Kosova Sot Online)