Fanella më e shëmtuar në botë? Huddersfield zbulon planin e fshehtë

  • 19 July 2019 - 12:01
Fanella më e shëmtuar në botë? Huddersfield zbulon planin e fshehtë

Para pak ditësh Huddersfield prezantoi fanellën e re për sezonin e ardhshëm, duke shtangur tifozët, sepse fanella bardheblu kishte një shirit të shëmtuar në mes, me emrin e kompanisë së basteve Paddy Power, e famshme në Britaninë e Madhe.

Natyrisht, shumë tifozë e konsideruan shaka, duke parë përmasat dhe pozicionin absurd të shiritit me emrin e sponsorit, por Huddersfield e prezantonte seriozisht dhe shumëkush kishte dyshimin se ajo do ishte fanella reale, me lojtarët që do mbanin një shirit si Miss gjatë ndeshjes.

Gjithsesi, kanë kaluar pak ditë dhe është zbuluar e vërteta: ishte gjithçka një rreng nga Paddy Power, që nuk e ka për herë të parë diçka të tillë.

Paddy Power ka nisur një fushatë me emrin “Shpëtoni fanellën tonë”, ku kërkon heqjen e kompanive të basteve nga fanellat e ekipeve, për të larguar dyshimet e zakonshme për trukime.

Vetë Paddy Power ka qartësuar se nuk do të vendosë logon e vet te fanella e Huddersfield, edhe pse ka firmosur kontratë sponsorizimi me klubin, ndërsa bën ftesë që të hiqen fare nga qarkullimi sponsorët mbi fanella, jo vetëm emrat e kompanive të basteve.

Sipas Paddy Power, kompanitë e basteve kanë kaluar çdo limit, aq sa 14 klube në Championship kanë logon e një kompanie bastesh në fanellë. Një gjetje e zgjuar e Paddy Poëer, sepse vëmendja mediatike ditët e fundit ka qenë e jashtëzakonshme.

Edhe reklama e Paddy Power është fantastike, plot humor, duke e mbyllur me një batutë: “Paddy Power! A nuk do doje edhe ti që të mos ishim në fanellën tënde?”. 

(Kosova Sot Online)