Neymar: Ramosi është kundërshtari më i mirë që e kam pasur, Vicinius mund ta fitojë Topin e Artë

  • 19 July 2019 - 12:43
Neymar: Ramosi është kundërshtari më i mirë që e kam pasur, Vicinius mund ta fitojë Topin e Artë

Neymari ka thënë se Sergio Ramosi është lojtari më i mirë kundër të cilit ka luajtur në karrierë, ndërsa ka parashikuar se bashkëlojtari i spanjollit në Real Madrid, Vinicius Junior, do të garojë për Topin e Artë eventualisht.

Superylli i Paris Saint-Germainit ka luajtur kundër Sergio Ramosit disa herë gjatë karrierës së tij në La Liga, me Barcelonën, para se t’i bënte gati valixhet dhe të shkonte në Francë, në vitin 2017.

Neymari iu bashkua Paris Saint-Germainit për një shumë rekorde, 222 milionë euro, me qëllimin për t’u larguar nga hija e Lionel Messit e për t’u bërë lojtari më i mirë në botë. Megjithatë, karriera e tij në Ligue 1 është definuar nga lëndimet e shumta.

27-vjeçari raportohet se tani e do kthimin në “Camp Nou”, por Real Madridi është përfolur si një destinacion tjetër i mundshëm për brazilianin gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Gjatë turneut botëror të futbollit të vogël “Neymar Five”, braziliani u ul për ta bërë një intervistë në SHBA dhe aty e shprehu adhurimin e tij për dyshen e Real Madridit.

Neymari e lavdëroi rivalin e tij të vjetër, Ramosin, për paraqitjet e tij në mbrojtje dhe për aftësinë që të ndihmojë edhe në fazën e sulmit, pasi kishte qenë dëshmitar i një gjëje të tillë gjatë ndeshjeve të “El Clasicos”.

“Lojtari më i mirë kundër të cilit kam luajtur? Sergio Ramos”, filloi Neymar. “Sepse  ai është një qendërmbrojtës i mrekullueshëm dhe për më tepër, shënon edhe gola. Është shumë e vështirë të luash kundër tij”.

Ai gjithashtu e shprehu bindjen e tij se braziliani Vinciusi Jr mund të bëhet njëri ndër futbollistët më të mirë në botë, pasi 19-vjeçari la përshtypje të mira gjatë sezonit të tij debutues me Real Madridin në La Liga.

“Vinicius Jr, ai është shumë i ri dhe përderisa i ka shumë vite karrierë para vetes, mendoj se ai do të bëhet një lojtar i mrekullueshëm. Ai do të bëhet njëri ndër më të mirët dhe do të garojë për Topin e Artë”, tha Neymari për bashkëkombësin e tij.

“Shpresoj se ai do të arrijë gjithçka që ka dëshirë. Ai është një djalosh i mrekullueshëm, shumë i sjellshëm. Shpresoj se ai do të arrijë shumë sepse e meriton një gjë të tillë”. 

(Kosova Sot Online)