KOK-u mbështet planin për t’i ndërtuar Majlinda Kelmendit statujë

  • 19 July 2019 - 12:58
KOK-u mbështet planin për t’i ndërtuar Majlinda Kelmendit statujë

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka bërë të ditur se e mbështet vendimin e Federatës Botërore të Xhudos, për t’ia ndërtuar një statujë xhudistes kosovare, Majlinda Kelmendi, e cila njihet si “Mbretëresha e Xhudos”.

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, e konfirmoi të enjten, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se Federata Botërore e Xhudos ka vendosur t’ia ndërtojë statujë Majlinda Kelmendit.

Kuka ka thënë se “artistët më të njohur në Botë janë ftuar për të punuar statujën e bronztë për Kampionen tonë Olimpike!”.

Pas këtij lajmi, Komiteti Olimpik i Kosovës publikoi një deklaratë në faqen zyrtare, duke e përgëzuar presidentin e Federatës Botërore të Xhudos, Marius Vizer, për vendimin e tij.

“Komiteti Olimpik i Kosovës e mirëpret dhe e mbështet vendimin e Federatës Botërore të Xhudos, duke e vlerësuar si hap tejet të qëlluar nga ana e presidentit Vizer, i cili njihet si mik i madh i Kosovës”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga KOK-u.

Përkundër që kjo statujë po ndërtohet nga Federata Botërore e Xhudos, Driton Kuka bëri të ditur dje se ajo do të vendoset në Kosovë dhe tha se pret sugjerime për ta gjetur vendin e përsosur për këtë statujë.

Majlinda Kelmendi u bë kosovarja e parë që arriti të fitojë medalje të artë në Lojërat Olimpike, pas suksesit të treguar në Rio 2016. Ajo ishte kampione botërore e xhudos në vitet 2013 dhe 2014, ndërsa kampione evropiane në vitet 2014, 2016 dhe 2017.

Në vitin 2017, ajo e fitoi Grand Slamin e Parisit për të katërtën herë (2013-2017). Kelmendi ka qenë gjithmonë e stërvitur nga Driton Kuka. Ajo e barti flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Rio 2016.

Kosovarja e nisi vitin 2019 me fitore në Grand Prixin e Tel Avivit, ndërsa e vazhdoi me suksese të njëjta edhe në Grand Slamin e Dusseldorfit dhe në Lojërat Evropiane në Minsk. 

(Kosova Sot Online)