I pari i Premier Ligës sqaron se si do të përdoret VAR-i sezonin e ardhshëm

  • 21 July 2019 - 18:59
I pari i Premier Ligës sqaron se si do të përdoret VAR-i sezonin e ardhshëm

Drejtori ekzekutiv i Premierligës, Richard Masters, beson se përdorimi i VAR-it (Video Assistant Referee) gjatë sezonit 2019/20 do të ketë ndikim minimal në rrjedhën e ndeshjeve, pasi që shumë tifozë janë skeptik ndaj kësaj teknologjie të re.

Gjyqtarët e VAR-it kanë qenë të zënë gjatë kësaj vere, duke i marrë shumë vendime në Ligën e Kombeve, Kupën e Kombeve të Afrikës dhe Kupën e Botës së vajzave, përderisa kjo teknologji do të debutojë në garat evropiane duke filluar nga 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.

Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, e ngjasoi VAR-in me një aksident trafiku, pas një vendimi që e dëmtoi Tottenhamin, mirëpo, pas dy vjetëve përgatitjeje, Richard Masters beson se gjyqtarët në ligën e parë angleze do ta përdorin teknologjinë më pak sesa në garat e tjera.

“Nuk kam asnjë dyshim se do të ketë disa incidente kontroverse sepse kjo teknologji përdoret vetëm për vendimet e mëdha, por ne jemi përgatitur për këtë gjë.

I kemi kaluar dy vjet duke u përgatitur për këtë moment”, ka thënë Masters.

“Ne kemi qenë duke u trajnuar dhe duke u testuar dhe duke u siguruar që kur të ndodhë, veçanërisht në ndeshjet e pasdites të dielën, kur ka më shumë ndeshje, që ne të kemi shumë gjyqtarë të stërvitur për VAR.

Ndiejmë se e kemi bërë këtë gjë dhe jemi gati të fillojmë me përdorimin e VAR-it”. “Mendoj se tifozët duan t’i shohin që gabimet e qarta të përmirësohen, por ata duan që ndeshje të vazhdojë të jetë e shpejtë.

Gjyqtarët nuk do të shkojnë aq shpesh sa në garat tjera t’i rishikojnë vetë incidentet, pasi që për këtë do të vendosin gjyqtarët në dhomën e VAR-it”. Premierliga kthehet sërish më 9 gusht, kur Liverpooli do ta presë në “Anfield” Norwich Cityn e sapo promovuar në Premierligë, ndërsa dy ditë më vonë do të zhvillohet derbi mes Manchester Unitedit dhe Chelseat në “Old Trafford”. 

(Kosova Sot Online)