"Zidane iku për shkak të Bale, u kthye vetëm për një premtim"

  • 22 July 2019 - 15:18

Zinedine Zidane dëshironte ta largonte Gareth Bale nga Reali që kur ishte herën e parë në stolin madrilen dhe u kthye aty vetëm për shkak se Florentino Perez i premtoi se uellsiani do largohej këtë verë.

Kështu pretendon ish-presidenti i Realit, Ramon Calderon, i cili është i bindur se deklarata e bujshme e ditëve të fundit nga Zidane në lidhje me Bale ("Duhet të largohet, sa më shpejt aq më mirë") tregon që francezit i ka sosur durimi. 

Zidane u kthye te Reali në mars dhe premtoi ndryshime të mëdha në verë, ndërkohë që shumë lojtarë të rinj kanë firmosur për Los Blancos, por afrimet e tjera janë bllokuar nga situata e Bale.

"Është një situatë shumë e vështirë, për të gjithë në klub", tha Calderon për Sky Sports.

"Zidane nuk e kishte në plane Bale në fillim të sezonit të shkuar, dëshironte të mbante Cristiano Ronaldon dhe të shiste Bale.

"Presidenti nuk e ndoqi këshillën e tij, ndaj Zidane u largua. Kur u kthye, në mars, e bëri sepse Perez i premtoi që Bale nuk do ishte në Madrid sezonin e ri. Fjalët e Zidane tregojnë që po e humbet durimin me situatën e krijuar".

(Kosova Sot Online)