Djaloshi 11 vjeçar tregon eksperiencën përrallore futbollistike me Leo Messin në Karaibe

  • 22 July 2019 - 19:11
Djaloshi 11 vjeçar tregon eksperiencën përrallore futbollistike me Leo Messin në Karaibe

Mackenzie O’Neill është njeriu më me fat në botë. Vogëlushi anglez e kaloi një eksperiencë prej ëndrrash duke luajtur futboll me Lionel Messin dhe fëmijët e tij, me të cilët e kaloi ditën duke u larë po ashtu në plazhin e Antiguas, në Karaibe. 11 vjeçari e ka treguar eksperiencën përrallore futbollistike me yllin argjentinas

Një djalosh i ri ishte fotografuar duke luajtur futboll në plazhin e Karaibeve me Lionel Messin dhe me fëmijët e tij.

Dhe, tash 11 vjeçari është identifikuar dhe ai është nga Londra Veriore.

Ylli i Barcelonës javën e kaluar ishte fotografuar duke luajtur futboll me djalin e tij, Thiago, gjashtë vjeç, dhe tre fëmijë të tjerë, përfshirë këtu një djalosh biond në plazhin e Antiguas.

Sot u zbulua se djaloshi quhej Mackenzie O’Neill.

“Messi ishte me familjen e tij në plazh. Unë isha afër dhe fillova ta godistja topin disa herë nga vendi ku ishin ata”, ka thënë vogëlushi për të përditshmen argjentinase “Ole”.

“Babai i tij, Jorge ma hodhi një top dhe më pyeti nëse dëshiroja të luaja me ta. Më pas luajtëm futboll me Thiagon dhe Messin për 45 minuta”, tregon ai tutje.

“Thiago është lojtar fantastik për moshën e tij dhe nuk ishte i trembur teksa luante. Të luaja me Messin ishte e pabesueshme, e jashtëzakonshme”, shton ai.

“Bashkëshortja e Messit na përkthente sepse fliste anglisht mjaft mirë. Më pas unë përfundova duke notuar me Messin dhe ne e morëm një varkë të vogël dhe kaluam kohë të gjatë në ujë”, tregon djaloshi nga Anglia.

Image

Kjo e përditshme argjentinase e ka pyetur vogëlushin, i cili kishte marrë leje nga mamaja e tij Anna për të dhënë intervistë, nëse e kishte këshilluar diçka Messi dhe ai u përgjigj:

“Jo, sepse ai nuk fliste anglisht. Mirëpo, ta shihja se sa i shkathtë ishte, ky ishte një mësim dhe këshillë e mirë për mua”, tha tutje Mackenzie O’Neill.

“Të luaja me Leon në ujë ishte një zbavitje e madhe. Ai dukej një baba normal. Gjithashtu e kuptova se Messi e shijonte shumë faktin se i biri i tij luante me fëmijët tjera”, thotë 11 vjeçari.

“Një natë më parë Messi dhe familja e tij ishin këtu, unë po luaja me Thiagon dhe ia dhash atij topin ta mbante”, kujton djaloshi.

“Mirëpo, ai vrapoi pas meje përreth plazhit dhe insistonte të luanim. Pas të gjitha këtyre, Messi dhe bashkëshortja e tij më thanë lamtumirë me buzëqeshje dhe përqafim. Unë nuk do t’i harroj ata”, përfundoi djaloshi nga Anglia.

Messi qëndroi me familjen e tij në villën luksoze në Jumby Bay në Antigua.

Ai u mundua ta kalonte aty dëshpërimin për dështimin e Argjentinës që ta fitojë Copa American.

(Kosova Sot Online)