Feronikeli sot përballet me Bratislavën, të cilën lojtarët e saj serbë duan ta refuzojnë shkaku i Kosovës

  • 24 July 2019 - 10:27
Feronikeli sot përballet me Bratislavën, të cilën lojtarët e saj serbë duan ta refuzojnë shkaku i Kosovës

Feronikeli ka udhëtuar drejt Sllovakisë për t’u përballur me Slovan Bratislava në ndeshjen e parë mes tyre në rundit e dytë kualifikues për Ligën e Evropës, një takim që, megjithatë rrezikon të prishet nga ndërhyra e politikës, sepse futbollistët serbë kanë paralajmëruar se do të refuzojnë të paraqiten për skuadrën e tyre kundër klubit kosovar.

Slovan është nikoqir i kampionit të Kosovës sonte në orën 18:00 në Narodny Futbalovy Stadion në Bratislavë, në ndeshjen e parë të rundit të dytë kualifikues për garën dytësore evropiane për klube.

Por, kjo ndeshje rrezikon të prishet nga ndërhyrjet politike pasi tre futbollistë serbë të Bratislavës thuhet se do të refuzojnë të luajnë kundër klubit kosovar.

Kjo nuk do të ishte hera e parë dhe e freskët që një ndërhyrje e tillë politike do të ndodhte në futboll, natyrisht e orkestruar nga Beogradi.

Në mars të këtij viti, trajneri me orgjinë serbe bashkë me disa futbollistë të tjerë serbë refuzuan ta përfaqësonin Malin e Zi në një ndeshje kualifikuese për Kampionat Evropian 2020 kundër Kosovës në Podgoricë pas udhëzimeve të marra nga Beogradi. Si pasojë, Ljubisa Tubakovic e largua nga posti i trajnerit të Malit të Zi dhe iu bashkua Kombëtares  së Serbisë.

Dosido, Nikli synon rezultat pozitiv në udhëtim ndaj Bratislavës para ndeshjes së kthimit në Prishtinë më 1 gusht, në përpjekje për të kaluar në rundin e tretë kualifikues.

Në rast se Nikli e eliminon Bratislavën dhe kalon në rundin e tretë, atëherë do të përballet me fituesin e duelit mes klubit nga Irlanda Dundalk dhe atij nga Azerbajxhani, Qarabag.

Klubit nga Drenasi iu shua ëndrra për ta vazhduar luftën në mënyrë që ta sigurojë një vend në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, garës më prestigjioze evropiane për klube, javë më parë pasi u mund në Prishtinë nga klubi uellsian The New Saint.

Fitues i dyfishtë në Kosovë, ligës dhe kupës, Feronikeli ishte afër kalimit në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve pas një barazimi dramatik me rikthim (2:2) në Uells, por u mposht 1:0 në stadiumin Fadil Vokrri përkundër se ishte skuadër dominuese dhe krijoi më shumë.

Nikli u bë skuadra e dytë kosovare që arrin kaq larg në kualifikime për këtë garë, pas Dritës, por e lëshoi mundësinë për t’u bërë e para në histori të futbollit kosovar që e arrin të paktën rundin e dytë kualifikues.

“Tigrat e Zi” tani do ta vazhdojnë rrugën për ta siguruar kualifikimin në një garë evropiane, Ligën e Evropës, garën e dytë për nga rëndësia. 

(Kosova Sot Online)