Ndihmës-trajneri i Slovan: E vështirë ta bësh një ekip me shumë kombësi, s’treguam zemër ndaj Feronikelit

  • 25 July 2019 - 09:34
Ndihmës-trajneri i Slovan: E vështirë ta bësh një ekip me shumë kombësi, s’treguam zemër ndaj Feronikelit

Ndihmës-trajneri i Slovan Bratislavës, Jan Kozak, i ka kritikuar ashpër futbollistët e tij për mungesë përkushtimi, zemre dhe respekti të ndërsjellë në fitoren ndaj Feronikelit 2:1 në ndeshjen e parë mes tyre në rrethin e dytë kualifikues për Ligën e Evropës.

Bratislava triumfoi falë golave nga Nono dhe Sporar në ndeshjen e parë në Narodny Futbalovy Stadion të mërkurën mbrëma, por një gol nga Mendurim Hoti i jep shumë shpresa dhe gjasa Feronikelit për kalim tutje duke qenë se ndeshjen e kthimit do ta luajë në shtëpi.

Kampioni i Kosovës e pret Bratislavën në Fadil Vokrri në Prishtinë javën e ardhshme dhe fitorja minimale do t’i mjaftonte për të kaluar në rundin e tretë kualifikues falë golit si mysafir.

Kozak u detyrua ta drejtojë vetë skuadrën, për shkak se trajneri serb Vladimir Radenkovic bashkë me dy futbollistë të tjerë serbë, Aleksandar Cavric dhe Dejan Drazic, nuk u paraqiten për Bratislavën duke e respektuar kërkesën jo sportive dhe politike të qeverisë së Serbisë për të mos luajtur ndaj një ekip nga Kosova.

Ai i akuzoi lojtarët e vet për mungesë respekti dhe disipline.

“Jemi në një krizë. Ne ishim më të mirë dhe 2:0 do të ishte rezultat i mirë për ne”, tha Kozak.

“Natyrisht se nuk është e lehtë të mbledhësh një ekip më shumë kombësi. Megjithatë, ekipi duhet të ketë zemër, lojtarët duhet ta respektojnë njëri-tjetrin”, shtoi ai.

“Duhet përkushtim dhe dëshirë për të luajtur për klubin. Puna e lojtarëve është ta japin maksimumin në fushë ama sot nuk e pashë këtë”, theksoi ai. 

(Kosova Sot Online )