Klubin sllovak e pret dënimi i rëndë për thirrjet “UEFA është mafi, Kosova është Serbi”

  • 25 July 2019 - 09:49
Klubin sllovak e pret dënimi i rëndë për thirrjet “UEFA është mafi, Kosova është Serbi”

Slovan Bratislava pritet të përballet me dënim të rëndë nga organi qeverisës i futbollit evropian për thirrjet politike “UEFA është mafi, Kosova është Serbi” në fitoren 2:1 ndaj Feronikelit në Ligën e Evropës të mërkurën.  

Para ndeshjes të mërkurën, klubi sllovak u bëri thirrje tifozëve të vet të përmbahen nga çfarëdo thirrje politike në lidhje me kundërshtarin e saj kosovar. Lutja e Bratislavës hasi në veshë të shurdhër, megjithatë.

Gjatë ndeshjes së parë të rrethit të dytë kualifikues për Ligën e Evropës në Narodny Futbalovy Stadion, të cilën Bratislava e fitoi 2:1, tifozët sllovakë brohoriten “UEFA është mafi, Kosova është Serbi”, si dhe e shpalosen një baner me mbishkrimin “Kosova është shtet i shenjtë serb”.

UEFA e kishte paralajmëruar fuqishëm Bratislavën se do të përballej me dënime të ashpra nëse në stadiumin e saj ndodhin thirrje politike. Prandaj, pritet që shtëpia e futbollit evropian ta dënojë rëndë klubin sllovak.

Bratislava rrezikon të gjobitet dhe të detyrohet të luajë pa tifozë në shtëpi në disa ndeshjet e ardhshme në Evropë.

Politika në këtë ndeshje futbolli nderyu me t’u kuptuar se Feronikeli do të përballej me Bratislavën në këtë rund.

Me kërkesë të qeverisë së Serbisë, trajneri serb Vladimir Radenkovic bashkë me dy futbollistë të tjerë serbë, Aleksandar Cavric dhe Dejan Drazic, nuk u paraqiten ndaj Feronikelit për shkak të Kosovës.

Klubi nga Sllovakia, shteti që ngjashëm si Serbia s’e njeh pavarësinë e Kosovës, do të udhëtojë edhe drejt Prishtinës javën e ardhshme pa trajnerin dhe lojtarët e vet serbë, për ndeshjen e kthimit në stadiumin Fadil Vokrri.

(Kosova Sot Online )