Perez gati të ndryshojë trajner, ja lëvizjet që e konfirmojnë…

  • 29 July 2019 - 13:03
Perez gati të ndryshojë trajner, ja lëvizjet që e konfirmojnë…

Një merkato mjaft e bujshme, por rezultate zhgënjyese gjatë përgatitjeve para-sezonale, që arritën pikën më të ulët, me humbjen e thellë 7-3 në derbin ndaj Atleticos së Madridit, zhvilluar në SHBA.

Tifozët madrilenë nuk janë aspak të kënaqur me Realin e Zidane, ndërsa mediat spanjolle raportuan se presidenti Florentino Perez po mendon edhe një ndryshim të bujshëm në pankinë, për të larguar francezin dhe rikthyer Jose Mourinhon.

Fillimisht tingëlloi si një sajesë mediatike, por më pas ishin dy veprime të menjëhershme të drejtuesve madrilenë, që konfirmuan se bëhet fjalë për diçka më tepër sesa një ide në kokën e presidentit Perez.

Me urdhër të këtij të fundit, drejtuesit e Realit të Madridit ndërprenë negociatat për shitjen e James Rodriguez dhe anuluan transferimin e Gareth Bale në Kinë, dy futbollistë këta të padëshiruar nga Zidane, me francezin që kishte kërkuar largimin sa më të shpejtë të tyre.

Vendimi i presidentit në këtë rast shkon kundër planeve të trajnerit Zidane, që duke qenë se përdor skemën 4-3-1-2, nuk gjen dot vend për këta futbollistë në formacionin e tij dhe për më tepër, ka prishur tërësisht marrëdhëniet me ta.

Megjithatë të dy këta futbollistë do të ishin idealë për skemën 4-2-3-1 të Jose Mourinhos dhe me James fantazist, Bale do të kompletonte treshen e sulmit me Hazard e Benzema, për të tentuar ringritjen e Realit në majën e botës.

Një tjetër shenjë që konfirmon idenë e Perezit për të ndryshuar në pankinë, është edhe bllokimi i negociatave për blerjen e Paul Pogba, një futbollist shumë i kërkuar nga Zidane, por njëkohësisht një armik i Jose Mourinhos, në kohën kur të dy ishin te United. 

Mourinho drejtoi Realin e Madridit në periudhën 2010-2013 dhe u largua me marrëveshje në maj të 2013-ës, por Florentino Perez nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë për portugezin dhe ka menduar rikthimin e tij më shumë se njëherë.

Ndoshta tani ka ardhur momenti i duhur, pasi Zidane nuk po justifikon aspak besimin ndaj tij, ashtu si edhe shpenzimet e shumta të madrilenëve në ditët e para të merkatos, ndërsa Florentino Perez nuk ka ndërmend të çojë dëm një tjetër sezon.

(Kosova Sot Online)