Bale zemërohet me Perezin, të cilit nuk i bën që Zidane s’e ka uellsianin në planet e tij

  • 29 July 2019 - 14:17
Bale zemërohet me Perezin, të cilit nuk i bën që Zidane s’e ka uellsianin në planet e tij

Gareth Bale nuk sheh rrugëdalje nga Real Madridi tani kur kalimi në Kinë i dështoi papritmas dhe tash, sulmuesi uellsian ka ardhur në përfundim se presidenti i klubit, Florentino Perez, nuk e çan kokën aspak që trajneri Zinedine Zidane nuk dëshiron ta ketë atë në ekipin e parë.

Bale ishte buzë kalimin te Jiangsu Suning, pas një marrëveshjeje nga e cila ai do të fitonte pagë javore në vlerë 1.2 milionë euro. Por tri ditë para se afati kalimtar veror të mbyllet në Superligën e Kinës, Perez vendosi ta anulojë marrëveshjen për kalimin e Bale në Kinë.

Kjo e ka bërë 30-vjeçarin të zemërohet me presidentin Perez dhe duke qenë se ai nuk e ka ndërmend t’i bashkohet ndonjë klubi tjetër në Evropë – qoftë si i huazuar apo përherë – Bale përballet me një të ardhme e ftohtë në Madrid.

Bale beson se shpresat që ai të jetë pjesë e ekipit të parë janë tejet të vogla, duke i pasur në mendje komentet e fundit publike të Zidane se ai dëshiron që uellsiani të largohet nga klubi  dhe për shkak të marrëdhënieve të prishura me të.

Jiangsu e bleu të hënën sulmuesin kroat Ivan Santini nga Anderlecht, duke e plotësuar numrin e lejuar prej pesë lojtarëve të huaj në skuadër. Rregullat e Superligës së Kinës i lejojnë klubet t’i kenë katër lojtarë të lindur jashtë vendit në skuadrat e tyre dhe Jiangsu pritet ta largojë nga klubi mbrojtësin italian Gabriel Paletta në ditët në vazhdim. 

(Kosova Sot Online)