Rummenigge kritikon shpenzimet e mëdha dhe rrogat enorme të lojtarëve

  • 29 July 2019 - 16:49
Rummenigge kritikon shpenzimet e mëdha dhe rrogat enorme të lojtarëve

Karl-Heinz Rummenigge është i preokupuar për shpenzimet enorme të klubeve, mbi të gjitha për rrogat e “çmendura” të futbollistëve. Zyrtari i lartë i Bayern Munichut insiston se gjiganti gjerman nuk do të hyjë në këtë “valle”

Karl-Heinz Rummenigge është kundër blerjeve të shtrenjta në botën e futbollit, por shprehet edhe kundër kontratave të majme të futbollistëve.

Zyrtari i lartë i Bayern Munichut thotë se gjiganti bavarez nuk mund të futet në këtë “valle”, të cilën e ka quajtur “çmenduri”.

“Ajo që më preokupon nuk është vetëm importimi i transfereve: 100 ose 120 milionë euro nuk janë shifra të jashtëzakonshme”, ka thënë fillimisht simboli i futbollit gjerman për “Bild”.

“Jam shumë më i preokupuar për rrogat me të cilat paguhen lojtarët, mbi të gjitha në Spanjë, Angli e Itali. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos e destabilizojmë rregullin tonë të rrogave. Shifrat e kontratave të shumta janë duke marrë dimensione enorme”, ka shtuar tutje Rummenigge.

“Merreni si shembull Griezmannin: ai do ta ketë një rrogë milionere prej dy shifrash në vit të pastra. Bayerni nuk do të marrë pjesë në këto shifra aq të ‘çmendura’. Bayerni për të ardhmen do të llogarisë në lojtarë të rinj që nuk kushtojnë aq shumë. Synim yni është që t’i formojmë 2,3, 4 lojtarë në vit, të cilët kanë kapacitet të hyjnë në ekipin e parë. Do të jetë një synim interesant”, përfundoi legjenda e futbollit gjerman. 


(Kosova Sot Online)