Donis Avdijaj, sërish përballet me probleme disiplinore

  • 30 July 2019 - 11:09
Donis Avdijaj, sërish përballet me probleme disiplinore

Pasi Willem II ia kishte shkëputur kontratën për shkak të problemeve me disiplinë, Donis Avdijaj iu bashkua këtë verë skuadrës turke, Trabzonspor. Mirëpo, problemet e njëjta e kanë ndjekur kosovarin edhe në Turqi.

Dje Donis Avdijaj debutoi me klubin e tij të ri, Trabzonsporin, në ndeshjen kundër Hellas Veronas të Amir Rrahmanit. Megjithatë, mediat turke raportuan për një lajm më të keq për kosovarin.

Sipas mediumeve në Truqi, bordi i drejtuesve të gjigantit turk i ka dhënë vërejtje Avdijajt, pasi që ai nuk kishte marrë leje për të dalë në një klub nate. Këtë veprim të kosovarit e kishte zbuluar kapiteni i skuadrës, Joao Pereira, i cili i ka kërkuar klubit ta gjejë një zgjidhje për të mos lejuar probleme të tjera të tilla.

Avdijaj ishte lojtar i lirë që nga marsi, pas shkëputjes së kontratës nga ana e Willem II, për arsye disiplinore. Por, tani ai do të vazhdojë karrierën në Turqi, ku ka nënshkruar kontratë trevjeçare me opsion për ta zgjatur atë edhe për një vit tjetër.

Ai në të kaluarën ka luajtur për klube si Schalke, Sturm Graz, Roda JC dhe Willem II. Me Kosovën ai ka bërë gjashtë paraqitje dhe ka shënuar dy gola.

Avdijaj pritet që të kthehet në skuadrën e Kosovës, pasi që ai nuk është ftuar nga Challandes në ndeshjet e fundit për shkak se kishte mbetur pa skuadër. 

(Kosova Sot Online)