Varane: Pogba do të ishte i mrekullueshëm në Madrid

  • 31 July 2019 - 08:00
Varane: Pogba do të ishte i mrekullueshëm në Madrid

Raphael Varane beson se bashkëlojtari i tij në ekipin kombëtar të Francës, Paul Pogba, do të ishte një lojtar i mrekullueshëm në skuadrën e Real Madridit, nëse vendos të transferohet gjatë këtij afati kalimtar.

Paul Pogba, 26-vjeçar, ka qenë i lidhur me një transferim të mundshëm në “Santiago Bernabeu” gjatë kësaj vere, mirëpo mesfushori mbetet në Manchester United dhe luajti 40 minuta në fitoren 1:0 në ndeshjen miqësore kundër klubit norvegjez, Kristiansund.

Varane, vështirësitë e skuadrës të së cilit gjatë këtij turneu parasezonal vazhduan me disfatën 1:0 kundër Tottenhamit të martën në “Audi Cup”, do ta mirëpriste Pogban në kryeqytetin spanjoll.

“Mendoj se ne e kemi një skuadër. Pogba është një lojtar i mirë, e njoh atë shumë mirë. Ai do të ishte i mrekullueshëm për cilëndo skuadër. Por, unë u besoj bashkëlojtarëve të mi. Do ta shohim nëse do të vijnë lojtarë të rinj. U besoj bashkëlojtarëve”, ka thënë Varane.

Real Madridi i ka humbur tri nga katër ndeshjet parasezonale. Fitorja e vetme e tyre erdhi në ndeshjen kundër Arsenalit dhe madje ajo u arrit vetëm në gjuajtjet e penalltive në International Champions Cup.

Por, Varane ende i beson skuadrës së Zinedine Zidane, duke thënë se ekipi do të jetë plotësisht ndryshe kur të fillojë sezoni.

“Unë e kuptoj se ti gjithmonë dëshiron të përmirësohesh. Jemi duke punuar për këtë gjë dhe unë i besoj punës tonë”, shtoi Varane.

“Është e vërtetë që, në një nivel individual, jemi duke bërë gabime. Ato gabime nuk janë taktike, ato do të përmirësohen. Mendoj se do të përmirësohemi pak nga pak. Jemi të përqendruar te puna jonë”.

“E kuptoj se ka shumë pritshmëri. Edhe unë dua ta shoh Madridin duke fituar, të gjithë duam më shumë. Kjo është diçka e mirë dhe normale”.

(Kosova Sot Online)