Zyrtare: Messi, Ronaldo dhe Van Dijk në mesin e 10 kandidatëve për lojtarin e vitit

  • 31 July 2019 - 16:57
Zyrtare: Messi, Ronaldo dhe Van Dijk në mesin e 10 kandidatëve për lojtarin e vitit

Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Virgil Van Dijk, janë në mesin e 10 futbollistëve të nominuar për çmimin Lojtari më i Mirë i FIFA-s për vitin 2019.

Lista e ngushtë, e cila llogarit arritjet e futbollistëve nga 16 korriku 2018 deri më 19 korrik 2019, u përpilua nga një panel ekspertësh.

Top 10-shën e kompletojnë ish-dyshja e talentuar a Ajaxit, Frenkie De Jong i Barcelonës dhe Matthijs de Ligt i Juventusit, dyshja e Liverpoolit Sadio Mane dhe Mohamed Salah, sulmuesi i Tottenhamit Harry Kane, anësori i Real Madridit Eden Hazard dhe Kylian Mbappe i PSG-së.

Tifozët do ta kenë mundësinë të votojnë për tre lojtarët e tyre të parapëlqyer. I pari i merr pesë pikë, i dyti tri pikë ndërsa i treti një pikë.

Rezultati i votave të tifozëve do të kombinohet pastaj me votat e anëtarët kyçë të komunitetit të futbollit, gazetarëve dhe trajnerëve dhe kapitenëve të ekipeve kombëtare.

Në këtë pikë, lista do të ngushtohet në vetëm tre emra, të cilët do të marrin pjesë në shfaqjen e ndarjes së çmimeve për më të mirët të FIFA-s më 23 shtator në Milano.

Fituesi i vitit të kaluar, Luka Modric i Real Madridit, nuk është nominuar as në top 10-she këtë vit.

(Kosova Sot Online)