Vedat Muriqi titullar edhe kundër Real Madridit

  • 31 July 2019 - 17:25
Vedat Muriqi titullar edhe kundër Real Madridit

Vedat Muriqi do të luajë si titullar në përpjekje për t’i ndihmuar klubit të tij të ri, Fenerbahçes, ta zërë vendin e tretë në Audi Cup, kundër Real Madridit.

Fenerbahçe dhe Real Madridi takohet sonte në orën 18:00 në Allianz Arena në Munih, në luftë për vendin e tretë në turneun miqësor, Audi Cup. 

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Muriqi, i cili iu bashkua Fenerit nga Rizespor në fillim të këtij muaji, është përsëri titullar dhe në kërkim të golit të katërt tashmë për klubin e ri.

Muriqi i ka realizuar tri gola në katër ndeshje (të gjitha miqësore) deri tani për Fenerbahcen.

25-vjeçari nga Prizreni luajti tërë ndeshjen gjysmëfinale kundër Bayern Munich të martën, të cilën klubi i tij e humbi 6:1, por nuk ia doli të lërë gjurmë.

Edhe pse luajti plot 90 minuta dhe në formë të lartë pas tri golave në tri ndeshjet e tij të para për Fenerin që prej transferimit nga Rizespor, Muriqi ishte i pavërejtur në këtë takim.

Megjithatë, ai do të kërkojë të lërë gjurmë sot, kundër një gjiganti tjetër evropian, sic është Real Madridi.

(Kosova Sot Online)