Atletico Madridi fiton ndeshjen ndaj yjeve të MLS-së, shkëlqen përsëri Joao Felix

  • 01 August 2019 - 09:44
Atletico Madridi fiton ndeshjen ndaj yjeve të MLS-së, shkëlqen përsëri Joao Felix

Atletico Madridi ka mposhtur ekipin e formuar nga yjet e Mayor League Soccer (MLS) me rezultat të pastër 3-0.

Skuadra e Diego Simeones ka vazhduar formën e mirë dhe fitoret në miqësoret para-sezonale që po i zhvillon.Një e tillë ka ardhur edhe gjatë mëngjesit të sotëm (e enjte), ku Los Colchoneros fitoi pa shumë vështirësi ndaj ekipit të yjeve të MLS-së në ndeshjen e zhvilluar në Orlando.Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të barabartë, pasi Simeone kishte startuar me ekipin e tij të dytë, ndërsa arritën të shënojnë një gol. Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 43-të dhe ishte i ardhuri në verë nga Real Madridi, Marcos Llorente, i cili shënoi për 1-0 pas një super asistimi nga u riu Rodrigo Riquelme.

Në pjesën e dytë, argjentinasi inkuadroi thuajse të gjithë futbollistët e tij më të mirë, duke arritur në fund të shënojë edhe dy gola. Ishte transferimi i tyre i madh i verës, Joao Felix, i cili shkëlqeu në këtë takim duke gjetur rrjetën nga distanca në minutën e 85-të për 2-0, ndërsa në shtesë asistoi bukur tek goli i Diego Costa për 3-0.

Me ardhjen e Felix, Simeone po rri më i qetë pasi largimi i Antoine Griezmann tek Barcelona dukej një humbje e madhe për klubin nga Wanda Metropolitano.

(Kosova Sot Online )