Liga koreane e godet Juventusin për Ronaldon: S’keni turp, mashtrues

  • 01 August 2019 - 16:18
Liga koreane e godet Juventusin për Ronaldon: S’keni turp, mashtrues

Zënka mes Juventusit dhe ligës elitare të Koresë së Jugut, K League, nuk po tregon shenja ndaljeje, pasi kjo e fundit e ka publikuar një komunikatë për media plot akuza ndaj kampionit të Serie A.

K League e ka quajtur Juventusin mashtrues dhe pa pikë turpi.

Tifozët koreanë kanë nisur padi ligjore kundër Juventusit për çmimin e biletave dhe “ankthin mendor” pasi Cristiano Ronaldo nuk luajti në ndeshjen parasezonale mes Juves dhe yjeve të K League.

Maurizio Sarri vendosi në fushë një ekip të fortë në barazimin zbavitës 3:3, por jo edhe Ronaldon.

Por, raportohet se Ronaldo ishte i obliguar të luante të paktën 45 minuta në këtë ndeshje në bazë të kontratës mes palëve.

Bardhezinjtë thanë më vonë se ai nuk luajti sepse kishte lodhje muskulore nga ndeshja paraprake kundër Interit. Përveç kësaj, pati edhe probleme të tjera, pasi skuadra e Juventusit mbërriti në stadium me vonesë të madhe dhe loja nisi 50 minuta më vonë seç ishte parashikuar.

K League thekson se në kontratë Juventusi e kishte siguruar se Ronaldo do të luante dhe se do t’i merrte të gjitha masat për ta parandaluar çfarëdo vonese të mundshme.

“K League nuk ka si të ndihet ndryshe përveç e zhgënjyer dhe e mashtruar nga Juventusi i paturp”, thuhet në komunikatën e ligës elitare koreane.

“Juventusi tha në përgjigjen e saj se Ronaldo mungoi për shkak të lodhjes muskulore nga ndeshjet e mëparshme dhe se ai u detyrua të pushonte. Nëse Ronaldo nuk ka qenë në gjendje të luajë, atëherë Juve mashtroi duke e përfshirë si zëvendësues në listën e lojtarëve të ftuar për këtë takim”, thuhet tutje në reagim.

“Po ashtu, sipas telefonatës së incizuar mes promotorit dhe një zyrtari të Juventusit, të gjithë nga Juventusi, përfshirë Ronaldon dhe trajnerin Sarri, e dinin qartë se Ronaldo duhej të luante. Por, Juventusi i është shmangur përgjegjësisë deri tani për mos shfaqjen e Ronaldos pa dhënë ndonjë shpjegim”.

“Shpjegimet tjera nga Juventusi janë të mbushura me të pavërteta dhe mashtrime”. 

(Kosova Sot Online)