Van Gaal e kritikon Guardiolën për dështimet në Ligën e Kampionëve

  • 02 August 2019 - 14:36
Van Gaal e kritikon Guardiolën për dështimet në Ligën e Kampionëve

Trajneri holandez, Louis van Gaal, e dha një intervistë për France Football dhe e kritikoi Pep Guardiolën për paaftësinë e tij ta fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve me Bayern Munichun apo Manchester Cityn.

Louis van Gaal e kritikoi Pep Guardiolën në një intervistë me France Football dhe tha se triumfi në garën më prestigjioze të Evropës, Ligën e Kampionëve, është më i vlefshëm sesa triumfi në ligën vendore.

“Ta fitosh titullin e Premierligës për të dytën herë është një arritje fantastike. Guardiola fitoi gjithçka që mund të fitonte, por në nivelin më të lartë, në Ligën e Kampionëve, ai nuk fitoi as me Cityn e as me Bayernin”, u shpreh Van Gaal.

Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Barcelonës, Bayern Munichut dhe Ajaxit e kritikoi edhe trajnerin aktual të Ajaxit, Eik Ten Hagun, i cili sezonin e kaluar e dërgoi skuadrën e tij deri në gjysmëfinale të Championsit.

“Kjo është pasoja kur mërzitesh shumë për mënyrën se si luan e jo mjaftueshëm për kundërshtarin. Ti duhet ta respektosh rivalin tënd. Guardiola dhe Ten Hag kanë shumë cilësi në krahasim me rivalët e tyre, por kjo s’vlen në Ligën e Kampionëve”.

Pep Guardiola e fitoi trofeun më prestigjioz të Evropës dy herë me gjigantin spanjoll, fillimisht në sezonin 2008/09 dhe pastaj në sezonin 2010/2011.

Ai ende nuk ka arritur ta fitojë këtë titull që kur u largua nga Spanja, përkundër që ishte trajner i gjigantit të Bundesligës, Bayern Munichut, dhe pastaj e mori Manchester Cityn, që e ka skuadrën më të shtrenjtë në histori të futbollit.

(Kosova Sot Online)