Guri, pas 2 golave: “Me trajnerin e ri do të bëj gjëra të mëdha”

  • 04 August 2019 - 14:18
Guri, pas 2 golave: “Me trajnerin e ri do të bëj gjëra të mëdha”

Me vetëm dy gola Sindrit Guri mbylli sezonin e kaluar të kampionatit belg me Oostenden, ndërkohë 2 gola ish-sulmuesi i Kukësit i shënoi që në ndeshjen e tij debutuese në sezonin e ri.

Pasi mungoi në javën e parë për shkak dëmtimi Guri e nisi si titullar sfidën e javës së dytë ndaj Cercle Brugge dhe spikati me një dygolësh duke udhëhequr Oostenden drejt fitores me përmbysje me rezultatin 3-1.

Trajneri i ri Kore Ingebrigsten, beson shumë te aftësitë e Gurit dhe ky parashikohet të jetë viti i shpërthimit të madh i sumuesit 25-vjeçar, i cili në sezonin e tij të parë vuajti shumë përshtatjen në kampionatin belg por edhe ndryshimet e shumta në stol te Oostende.

Në një intervistë për mediat belge në përfundim të ndeshjes ndaj Cercle Brugge, Guri deklaroi.

GOLI I PARË  – “Të them të drejtën, trajneri më ka thënë që të qëndroj pranë shtyllës së dytë gjatë harkimeve, por si sulmues ndonjëherë e ndjen se ku duhet të jesh në një moment të caktuar”.

Guri foli edhe për paraqitjen e tij në tërësi në këtë ndeshje.

“Është një paraqitje që më jep shumë besim dhe më qetëson. Një sulmues që shënon është një sulmues i gëzuar. Trajneri i ri më jep më shumë besim. Tani trajneri udhëzon skuadrën të më pasojë më shumë dhe të luajmë futboll më të bukur. Më duhet ta falënderoj. Sezonin e kaluar trajnerët nuk patën shumë besim tek unë. Vetëm vrapoja pafund”. 

(Kosova Sot Online)