Xavi gjuan këpucën, zemërohet në debutimin e tij si trajner

  • 07 August 2019 - 08:48
Xavi gjuan këpucën, zemërohet në debutimin e tij si trajner

Karriera e Xavit si trajner me klubin nga Katari, Al Sadd, nuk filloi në mënyrën më të mirë të mundshme, të martën. Në shenjë zemërimi, ai e gjuajti këpucën e vet dhe mbeti zbathur në njërën këmbë.

39-vjeçari e filloi karrierën si trajner i Al Saddit në maj. Liga e Katarit nuk do të nisë për edhe dy javë të tjera, por ikona e Barcelona e bëri debutimin e tij si trajner në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve të AFC, ku klubi i tij u përball me Al-Duhailin.

Të hënën Xavi kishte thënë se skuadra e tij ishte në formë të mirë dhe se ai ishte i lumtur që do ta niste karrierën në një skenë të madhe të futbollit. Al Sadd e mori epërsinë në këtë ndeshje pas gjysmë ore lojë, përmes golit të Akram Afif.

Youssef Msakni e ktheu në lojë Al-Dunhailin – të drejtuar nga ish-ndihmësi i Jose Mourinhos, Rui Faria – në fund të pjesës së parë. Ndeshja e parë e kësaj faze përfundoi baras, mirëpo afër fundit të ndeshjes tifozët e panë një anë tjetër të Xavit nga ai që kishte qenë si futbollist.

Kur dy klubet ishin duke barazuar 1:1 në minutat e fundit të ndeshjes, Al Saddi kërkoi penallti. Gjyqtari nuk e akordoi atë dhe ish-mesfushori i Barcelonës u zemërua aq shumë saqë e gjuajti këpucën e tij.

Al Saddi do ta zhvillojë ndeshjen kthyese në shtëpi, të martën, dhe do ta fillojë ligën e Katarit kundër Al-Wakrah më 21 gusht, para një ndeshjeje të mundshme të çerekfinales së Ligës së Kampionëve të AFC. 

(Kosova Sot Online )