Pogba, një hap më afër Real Madridit

  • 07 August 2019 - 10:01
Pogba, një hap më afër Real Madridit

Pasi që transferimi i mesfushorit të Tottenhamit, Christian Eriksenit, në Manchester United është afër kompletimit, edhe Paul Pogba është një hap më afër kalimit në skuadrën e Real Madridit.

Burime të afërta me Christian Eriksenin i kanë thënë të përditshmes spanjolle, AS, se mesfushori danez tashmë ka arritur marrëveshje personale me Manchester Unitedin.

27-vjeçari është pajtuar të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare në Manchester United, me pagë të njëjtë me atë që Paul Pogba e fiton aktualisht në “Old Trafford”. Tani mbetet të shihet nëse Manchester Unitedi mund të arrijë marrëveshje edhe me Tottenhamin, para të së enjtes, kur mbyllet afati kalimtar.

Dy klubet e Premierligës priten ta arrijnë këtë marrëveshje sot, mirëpo “Djajtë e kuq” janë të vetëdijshëm se marrëveshja mund të mos arrihet për shkak të kokëfortësisë së drejtorit të Tottenhamit, Daniel Levy.

Transferimi i Eriksenit në Manchester United ia hap derën Pogbas për t’u larguar. Trajneri Ole Gunnar Solskjaer do të preferonte që t’i ketë të dy mesfushorët në skuadrën e tij për sezonin e ardhshëm, mirëpo Pogba e dëshiron largimin me ngulm.

Për më tepër, trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, e ka kërkuar personalisht Pogban dhe drejtuesit e “Los Blancos” tani po e bëjnë maksimumin për t’ia plotësuar dëshirën trajnerit të tyre.

Ndërkohë, Real  Madridi është ende duke tentuar t’i sigurojë shërbimet e mesfushorit të Ajaxit, Donny van de Beek. 22-vjeçari holandez pritet t’u kushtojë madrilenëve deri në 60 milionë euro.

(Kosova Sot Online)