Ramadani reagon ndaj lajmeve se do të bëhet trajner i Skënderbeut

  • 07 August 2019 - 13:09
Ramadani reagon ndaj lajmeve se do të bëhet trajner i Skënderbeut

Zekirja Ramadani ka demantuar çdo lajm që ka të bëjë me emërimin e tij të mundshëm në pozitën e trajnerit të Skënderbeu të Korçës.

Pasi i ndau rrugët me Feronikelin këtë javë, për trajnerin Zekirija Ramadani u tha se do të bëhet trajner i Skënderbeut.

Megjithatë, në një intervistë të dhënë më “infoSport.mk”, Ramadani i mohoi këto lajme, përkundër që e pranoi se u takua me drejtorin sportiv të Skënderbeut, Haris Fakiqin.

 “Sinqerisht nuk e di nga doli ky lajm. Kategorikisht demantoj një gjë të tillë. Si duket gazetarët kanë rënë pre e një takimi miqësor timin me drejtorin sportiv të Skënderbeut, Haris Fakiq, me të cilin mund të them lirisht se brenda muajit takohemi ndoshta edhe 20 herë për kafe”, ka thënë Ramadani.

“Megjithatë biseda jonë ishte krejt miqësore dhe nuk ka të bëjë fare me ndonjë transferim timin eventual te skuadra korçare, ndërsa gjithashtu mund të konfirmojë se për momentin nuk jam në bisedime me asnjë skuadër”.

Ramadani ishte trajneri i parë historik i Feronikelit që drejtoi skuadrën në garat e UEFA-s.

Ai u emërua në këtë pozitë më 3 shtator të vitit të kaluar dhe i zhvilloi 37 ndeshje me Feronikelin, prej të cilave 27 ishin fitore, katër barazime dhe gjashtë disfata. 

(Kosova Sot Online)