Barcelona i do 30 milionë euro për t’ia huazuar Coutinhon Tottenhamit

  • 07 August 2019 - 15:25
Barcelona i do 30 milionë euro për t’ia huazuar Coutinhon Tottenhamit

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, raporton se Barcelona po ia kërkon Tottenhamit 20-30 milionë euro për t’ua dhënë Philippe Coutinhon në formë huazimi për sezonin e ardhshëm.

Transferimi i propozuar i brazilianit mund të ndodhë vetëm nëse Tottenhami pranon që t’ia paguajë edhe rrogat Coutinhos gjatë sezonit të ardhshëm. Coutinho i fiton rreth 200 mijë funte në javë në “Camp Nou”.

Tottenhami është i vetmi kandidat për ta transferuar ish-yllin e Liverpoolit gjatë këtij afati kalimtar, përderisa Barcelona do të dëshironte gjithashtu ta shiste mesfushorin këtë verë, pasi periudha e tij në Katalonjë ka dështuar.

Megjithatë, Tottenhami është duke punuar kundër kohës pasi që afati kalimtar për klubet angleze mbyllët nesër, më 8 gusht, në orën 18:00.

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, veçse e ka bërë të ditur se kthimi i Coutinhos në “Anfield” është i pamundur, ndërsa Manchester City, Arsenali dhe Chelsea kanë mjaftueshëm lojtarë në atë pozitë.

Një kalim në Manchester United nuk është shqyrtuar asnjëherë seriozisht për shkak të së kaluarës së Coutinhos m Liverpoolit, duke bërë kështu që Tottenhami të jetë opsioni më i mundshëm, nëse arrihet pajtimi për një kalim në Angli.

Ndërkohë, Barcelona dëshiron ta kthejë Neymarin në Camp Nou, por përderisa në skuadër është edhe Coutinho, katalonasit do ta kenë të vështirë ta përballojnë financiarisht transferimin e tij. 

(Kosova Sot Online)