Samir Ujkani mbetet pa skuadër, ndërpritet kontrata e tij me klubin turk

  • 08 August 2019 - 13:26
Samir Ujkani mbetet pa skuadër, ndërpritet kontrata e tij me klubin turk

Portieri dhe kapiteni i ekipit kombëtar të Kosovës, Samir Ujkani, e ka ndërprerë bashkëpunimin e tij me klubin turk, Rizesporin, dhe tani mbetet pa skuadër. Si transferim i lirë, ai besohet se mund t’i bashkohet ndonjë klubi italian.

Samir Ujkani e kishte shprehur edhe më parë pakënaqësinë e tij në ekipin e Rizesporit, pasi që nuk iu dhanë shumë mundësi për ta dëshmuar veten – ai luajti vetëm 44 minuta si zëvendësues gjatë sezonit të kaluar.

Qëndrimi në stol te Rizespori ka ndikuar që ai të mbetet edhe në stolin e ekipit kombëtar të Kosovës, pasi që tani portier i parë në skuadrën e drejtuar nga Bernard Challandes është talenti Arijanet Muriç.

Kontrata e Ujkanit me Rizesporin ishte e vlefshme deri në qershor të vitit 2021, mirëpo të dy palët preferuan ta ndërprejë bashkëpunimin.

Kosovari tani do të tentojë ta gjejë një klub të ri për ta vazhduar karrierën e tij, të cilën e nisi në korrik të vitit 2007, kur Palermo e bleu nga ekipi U-19 i Anderlechtit.

Pjesën më të madhe të karrierës së tij ai e zhvilloi në Itali, që është pikërisht ku edhe po spekulohet se mund ta vazhdojë rrugëtimin.

(Kosova Sot Online)