Tifozët e Man Unitedit e përshëndesin Lukakun me një video me të gjitha gafat e tij

  • 08 August 2019 - 15:19
Tifozët e Man Unitedit e përshëndesin Lukakun me një video me të gjitha gafat e tij

Karriera e sulmuesit belg, Romelu Lukaku, me Manchester Unitedin është pothuajse e përfunduar. Tifozët e klubit anglez vendosën t’ia japin lamtumirën atij duke e publikuar një video me të gjitha gabimet e tij.

Romelu Lukaku pritet ta kompletojë transferimin e tij në Inter, në vlerë prej 80 milionë eurosh, gjatë orëve në vazhdim, pasi që sot është duke i kryer testet mjekësore.

Largimi i tij i jep fund karrierës së tij mjaft zhgënjyese në Old Trafford. Lukaku arriti t’i shënojë vetëm 15 gola në 45 ndeshjet e zhvilluara në të gjitha garat për “Djajtë e kuq” gjatë sezonit të kaluar.

Vështirësitë e 26-vjeçarit gjatë dy sezoneve me Manchester Unitedit shpeshherë i kanë zemëruar tifozët, mirëpo nganjëherë i kanë bërë ata edhe të qeshin.

Dhe një tifoz i Manchester Unitedit e ka publikuar një video ku janë grumbulluar të gjitha gabimet më të këqija të Lukakus në Old Trafford, duke e përcjellë atë me mbishkrimin: “Për nder të Romelu Lukakus. Çfarë lojtari.”

 

 

26-vjeçari do t’i kryejë testet mjekësore gjatë ditës së enjte dhe pastaj pritet ta nënshkruajë një marrëveshje pesëvjeçare, në vlerë prej 7.5 milionë eurosh në vit.

Manchester Unitedi e kishte blerë atë nga Evertoni në vitin 2017 për 84.7 milionë euro dhe kishte shpresuar se do të arrijë ta kthejë këtë shumë përsëri në klub, mirëpo, gjatë negociatave me Interin, anglezët e kuptuan se do ta kenë të pamundur të marrin ofertë më të madhe sesa 80 milionë euro.

Lukaku kishte qenë shumë afër transferimit në Juventus javën e kaluar, mirëpo Paulo Dybala e refuzoi Manchester Unitedin dhe e dështoi marrëveshjen për shkëmbimin e lojtarëve. 

 

(Kosova Sot Online)