Trajneri i Werderit: Rashica mund ta vendosë i vetëm lojën
Trajneri i Werder Bremenit, Florian Kohfeldt e ka lavdëruar Milot Rashicën, për të cilin thotë se ka përparuar dhe se është lojtar që mund ta vendosë i vetëm lojën.
Milot Rashica së fundmi u zgjodh futbollisti më i mirë i sezonit 2018/19 tek Werder Bremeni.
Dhe, trajneri Florian Kohfeldt beson se ylli kosovar do ta ketë një tjetër sezon fantastik, njëjtë si në atë të shkuar, sidomos në pjesën e dytë të tij, kur edhe shpërtheu përfundimisht.
Trajneri i Werderit e ka përgëzuar futbollistin vushtrrias për përparimin që e bëri në sezonin e fundit.
“Miloti e ka bërë një përparim mjaft të madh. Ai e ka fituar një imazh komplet ndryshe”, theksoi Kohfeldt për 22 vjeçarin.
Rashica është përmirësuar edhe në aspektin defanziv, derisa në atë ofanziv ka kualitete të padiskutueshme.
Ky fakt e ka gëzuar trajnerin e tij, i cili pret shumë nga lojtari
“Miloti është përmirësuar në mënyrë enorme. Ai mund ta vendosë lojën me një aksion të vetëm”, ka shtuar Kohfeldt.
Trajneri e ka lavdëruar Rashicën edhe për faktin se është ambientuar mjaft mirë në Gjermani.
“Ai e ka mësuar mjaft mirë gjuhën gjermane”, shprehet tutje trajneri i Milotit.
Rashica është bërë lojtar mjaft i rëndësishëm i Werderit, ndërsa po shkëlqen edhe në fanellën e Përfaqësueses së Kosovës.