Klopp: Skuadrat e mëdha qëndrojnë së bashku

  • 09 August 2019 - 09:00
Klopp: Skuadrat e mëdha qëndrojnë së bashku

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka mbrojtur vendimin e klubit të tij për të mos qenë aktiv gjatë këtij afati kalimtar të verës, duke thënë se ekipet e mëdha preferojnë stabilitet para transferimeve të reja.

Lojtarët e vetëm të ri në skuadrën e Jurgen Kloppit për sezonin e ri janë adoleshentët, Sepp van den Berg dhe Harvey Elliot, dhe portierin rezervë Adrian. Trajneri gjerman vendosi t’u besojë djemve që ia fituan atij titullin e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar.

{400514/}

Trajneri gjerman ka thënë se paraqitja në Community Shield fundjavën e kaluar – kur Liverpooli humbi në gjuajtje të penalltive ndaj Manchester Cityt pasi që koha e rregullt përfundoi me barazim 1:1 – ishte dëshmi se skuadra e tij është e gatshme të sfidojë në Premierligë dhe Evropë sezonin e ri.

“Skuadra e mëdha të së kaluarës – dhe unë nuk po them se ne jemi skuadër e madhe tani, kjo do të vendoset brenda dy-tri vjetëve të ardhshme – ata qëndrojnë së bashku për një numër të viteve”, ka thënë Klopp, para ndeshjes hapëse të sezonit të ri të Premierligës, kundër Norwichit, të premten në orën 21:00.

“Ata nuk kanë nevojë për shumë ndryshime. Nuk po e krahasoj skuadrën time me atë të Barcelonës para pesë, gjashtë ato shtatë vjetëve më parë, por ata qëndruan bashkë. Një lojtar i ri erdhi dhe e pati të vështirë sepse e njëjta skuadër luante sërish”.

“Manchester Unitedi e pati skuadrën e 92-tës. Sa gjatë qëndruan ata bashkë? Ata ndryshuan pak kur Eric Cantona u vjetrua dhe e sollën Ruud van Nistelrooyin apo dikë tjetër. Skuadra nuk ndryshohet plotësisht”.

“Ne jemi një skuadër e mirë në një ligë shumë të vështirë me shumë garues të uritur për ta marrë pozitën tonë. Askush nuk e di se si do të duket liga në fund, por e diela dëshmoi se ne do të jemi të mirë”.

(Kosova Sot Online )