Mourinho: Nuk do të kisha shkuar në Real Madrid

  • 09 August 2019 - 11:12
Mourinho: Nuk do të kisha shkuar në Real Madrid

Jose Mourinho e ka zbuluar arsyen pse nuk ishte kthyer në Milan për ta festuar triumfin në edicionin e vitit 2010 të Ligës së Kampionëve me Interin, duke insistuar se, nëse do ta kishte bërë një gjë të tillë, nuk do të kishte shkuar në Real Madrid.

Trajneri portugez e mbylli një periudhë të suksesshme dyvjeçare në San Siro me gjigantët e Serisë A duke e siguruar një tripletë historike për klubin – të parin në histori për klubin italian.

Interi e mbylli sezonin 2009/10 me trofeun e Serisë A, Kupës së Italisë dhe të Ligës së Kampionëve. Ky i fundit erdhi pas triumfit të paharrueshëm me rezultat 2:0 në finale kundër Bayern Munichut.

Dy gola të shënuar nga Diego Milito e bënë dallimin në stadiumin “Santiago Bernabeu”, ku po zhvillohej finalja. Kështu, Mourinho u largua nga Interi si kampion dhe e nisi karrierën e tij me Real Madridin.


Dhe ish-trajneri i Manchester Unitedit e ka zbuluar se ai nuk ishte kthyer për të festuar në Itali sepse frikësohej se emocionet do të ishin shumë të mëdha dhe se ai do ta ndryshonte mendimin për kalimin te Real Madridi.

“E mbaj mend në mënyrë të përsosur se as nuk kisha shkuar në zhveshtore sepse e kisha atë ndjenjë, e ndieja se do ta humbisja kontrollin emocional. Kështu që vendosa t’iu ik atyre emocioneve”, ka shtuar ai.

“Në fushë, kishte pak fjalë e shumë entuziazëm. Por, unë doja të largohesha nga ato emocione. E njoh veten shumë mirë dhe e di pse e bëra këtë gjë. Unë tentova të mos u them lamtumirë në mënyrë më të dashur”.

“Është pikërisht kështu, më mungojnë ata. Koha nuk kthehet prapa. Ne nuk mund të kthehemi prapa dhe ta përjetojmë atë të gjithën sërish. Por, shokët mbeten përgjithmonë. Ata janë shokët e mi dhe jam shoku i tyre. Kështu e shoh unë”.

(Kosova Sot Online)