Gundogan vazhdon kontratën me Cityn
Mesfushori gjerman do të jetë pjesë e kampionit anglez deri në vitin 2023.
Ilkay Gundogan ka nënshkruar kontratë të re katërvjeçare me Manchester Cityn.
Me këtë rast, mesfushori turk me pasaportë gjermane do të jetë pjesë e kampionit anglez deri në vitin 2023.
Pas negociatave që zgjatën disa javë, përfaqësuesi gjerman e nënshkroi kontratën e re pasi ajo aktuale do t’i skadonte verën tjetër.
Menaxheri i Cityt, Pep Guardiola e sheh 28 vjeçarin si pjesë kyçe të planeve të tij, ndërsa lojtari gjendet në moshën ideale të karrierës.
Gundogan ishte transferuar në City nga klubi i Bundesligës, Borussia Dortmund në vitin 2016 për afro 30 milionë euro.
Edhe pse nuk kishte hapësira të mjaftueshme në “Etihad Stadium”, Gundogan e ka arsyetuar besimin e trajnerit Guardiola sa herë që i është dhënë rasti për të luajtur.
Edhe pse kishte vuajtur nga dy lëndime serioze në gju, ish-futbollisti i Nurnbergut i ka fituar pesë trofe me Cityn duke realizuar 17 gola në 115 ndeshje me “Citizens”.
(Kosova Sot Online)