Dallimet e mëdha në mes të skuadrës së Milanit dhe asaj të Feronikelit

  • 09 August 2019 - 15:39
Dallimet e mëdha në mes të skuadrës së Milanit dhe asaj të Feronikelit

Sot, Milani e publikon listën e lojtarëve të cilët trajneri Marco Giampaolo do t’i sjellë me vete në Prishtinë për ndeshjen miqësore në Kosovë. Por, cilat janë dallimet më të mëdha mes kësaj skuadre dhe asaj të Feronikelit?

Feronikeli do ta presë nesër në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”, skuadrën e Milanit për një ndeshje miqësore, në kuadër të turneut parasezonal.

Milani – fuqia e dytë më e madhe në histori të futbollit në Evropë me shtatë tituj të Ligës së Kampionëve – nuk e ka skuadrën po aq të vlefshme sa e kishte para disa viteve, por prapëseprapë dallimet me skuadrën e Feronikelit janë të mëdha.

 

Skuadra e Milanit

Transfermarkt tregon se vlera e skuadrës së Milanit është 503.5 milionë euro, përderisa futbollisti me vlerën më të madhe, plot 55 milionë euro, është portieri 20-vjeçar Gianluigi Donnarumma.

Megjithatë, lojtarin e gjashtë më të vlefshëm në skuadrën e kuqezinjve, mesfushorin Franck Kessie, trajneri Giampaolo nuk e ka marrë me vete për këtë ndeshje. Ndërsa, të gjithë yjet e tjerë të kuqezinjve do të jenë të pranishëm.

Në skuadrën e Milanit aktualisht janë 27 lojtarë, por kjo gjë mund të ndryshojë deri në fund të afatit kalimtar, më 2 shtator. Mosha mesatare e skuadrës është 25.6 vjeç, ndërsa 66,7 për qind e lojtarëve janë të huaj.

Skuadra e Feronikelit

Sërish sipas Transfermarkt, vlera e skuadrës së Feronikelit arrin vetëm shifrën prej 2.23 milionë eurosh, përkundër që në këtë skuadër ka më shumë lojtarë, gjithsej 32 apo pesë më shumë sesa në skuadrën e Milanit.

Tre lojtarë janë të vlerësuar me çmimin më të lartë në skuadrën e Feronikelit, të tre me nga 200 mijë euro. Ata janë Milos Krkotic, Besmir Bojku dhe Florjan Smakiqi.

Mosha mesatare e skuadrës e Feronikelit është 25,0 vjeç, e ngjashme me atë të Milanit. Në anën tjetër, Feronikeli përbën në vete shumë më shumë talente vendore sesa kundërshtari i nesërm, pasi që vetëm 18.8 për qind e skuadrës janë lojtarë të huaj. 

(Kosova Sot Online )