Real Madridi do të dorëzohet për Pogban, nëse e merr Neymarin

  • 13 August 2019 - 09:23
Real Madridi do të dorëzohet për Pogban, nëse e merr Neymarin

Real Madridi do t’u japë fund tentimeve për ta transferuar mesfushorin e Manchester Unitedit, Paul Pogban, nëse arrijnë ta sigurojnë transferimin e yllit të Paris Saint-Germainit, Neymarit, sipas të përditshmes angleze, The Sun.

Rivali i Real Madridit në La Liga, Barcelona, është favorite për t’i siguruar shërbimet e Neymarit për sezonin e ardhshëm, por Zinedine Zidane është i gatshëm ta ofrojë edhe një lojtar për ta ëmbëlsuar këtë marrëveshje dhe për ta sjellë sulmuesin e PSG-së në “Santiago Bernabeu”.

Francezi është i gatshëm t’i ofrojë shërbimet e Iscos, Marcelos ose Raphael Varanes për ta transferuar Neymarin, si dhe një shumë të lartë për PSG-në e një pagë të madhe për futbollistin brazilian.

Një situatë e ngjashme ndodhi edhe kur Neymari u transferua në Barcelonë në vitin 2013. Braziliani e kishte arritur fillimisht një marrëveshje me Real Madridin e madje i kishte kaluar edhe testet mjekësore. Pastaj, Barcelona u shfaq dhe filloi ankandi, në të cilin triumfuan katalonasit. Tani, pas gjashtë vjetëve, kjo situatë mund të përsëritet.

Megjithatë, këtë herë Real Madridi do të tentojë ta ndryshojë rezultatin përfundimtar. Një gjë e tillë mund të ndodhë për shkak të lidhjes së mirë të presidentit të “Los Blancos”, Florentino Perezit, me përfaqësuesit e Neymarit dhe me presidentin e Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifin.

Në anën tjetër, marrëdhëniet mes Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit nuk janë aspak të mira, veçanërisht gjatë viteve të fundit. E gjitha kjo filloi kur katalonasit tentuan t’ia marrin Marco Verrattin PSG-së, e cila iu përgjigj më ashpër, duke ia marrë me të vërtetë Neymarin.

Megjithatë, Barcelona këtë herë mund ta ketë epërsinë pasi që Neymari preferon të luajë përkrah Lionel Messit sërish. Edhe vetë kapiteni i Barcelonës ia ka kërkuar presidentit të klubit, Josep Maria Bartomeut, ta kthejë Neymarin në skuadër, sipas AS.

Por, nëse Real Madridi arrin ta transferojë Neymarin, atëherë Manchester Unitedi do të mbetet i qetë të paktën deri në verën e ardhshme, pasi që madrilenët do t’u japin fund tentimeve për ta blerë Pogban, i cili në fillim të verës kishte thënë se kishte ardhur koha që ai ta provojë një sfidë të re.

(Kosova Sot Online)