Vera e jashtëzakonshme e Bale

  • 14 August 2019 - 11:00
Vera e jashtëzakonshme e Bale

Gareth Bale e kaloi një ditë normale të stërvitjeve të martën në Valdebebas, përkundër që ende nuk është i sigurt se çfarë do të ndodh me të ardhmen e karrierës së tij.

Të gjithë përreth tij janë duke i thënë të largohet dhe kjo situatë ka qenë e njëjta që disa muaj, megjithatë ai i ka edhe tre vjet në kontratën e tij me Real Madridin dhe synon të qëndrojë në skuadër deri në fund, shkruan Marca.

Kur Bale u largua për pushimet e tij verore, ai e bëri këtë gjë duke qenë i vetëdijshëm se Zinedine Zidane nuk e konsideronte atë pjesë të planeve të tij për sezonin e ardhshëm në “Santiago Bernabeu”.

Kjo gjë i ishte sqaruar atij para se të përfundojë sezoni 2018/19 dhe ai nuk luajti asnjë minutë në tri rundet e fundit të sezonit.

Real Madridi i planifikoi transferimet dhe largimi i Bale shihej si mënyra më e mirë për t’i financuar transferimet e nevojshme, pas dështimeve të sezonit të kaluar.

Por, vera ka kaluar dhe Bale është ende me skuadrën e Real Madridit. Ai arriti më 8 korrik për stërvitje dhe udhëtoi drejt Montrealin të nesërmen. Pritej që transferimi i tij në ndonjë klub të kompletohej gjatë kohës sa ishte në Kanada, mirëpo klubi ia sqaroi Zidanit se ka mundësi që Bale të mbetet në skuadër edhe më tutje.

Por, pastaj uellsiani mbeti jashtë skuadrës së zgjedhur nga trajneri për ndeshjen kundër Bayernit më 21 korrik. Zidane e sqaroi këtë vendim duke thënë: “Ai kërkoi të mos luajë pasi që është në negociata me një klub tjetër”.

Jiangsu Sunin ishte ajo skuadër, por transferimi dështoi në atë që konsiderohej pengesa e fundit. Ai u kthye në skuadër për ndeshjen kundër Arsenalit dhe shënoi, por pastaj u la jashtë skuadrës për “Audi Cup” dhe miqësoren kundër Salzburgut.

Megjithatë, Zidane ndërroi mendje në Romë. Balë udhëtoi me skuadrën dhe luajti, duke e shënuar njërën ndër pesë penalltitë në fund të ndeshjes.

Tre ditë para kthimit të La Ligës, fanella me numër 11 ende i takon Bale, përkundër spekulimeve që e lidhin atë me një numër të klubeve – Manchester United, Bayern, Tottenham, Paris Saint-Germain, Inter – pasi që asnjëri klub s’bëri ofertë formalisht për uellsianin.

Ndërkohë, Real Madridi ka mbetur në një situatë të vështirë. Bale mund të largohet dhe klubi duhet t’i zgjidhë edhe të ardhmet e James Rodriguezit dhe Mariano Diazit.

Rezultati i dështimit të tyre për t’i shitur këta lojtarë deri më tani është se klubi po e ka më të vështirë të transferojë edhe lojtarë të tjerë, për shkak të rregullave të UEFA-s.

Siç qëndron situata tani, Real Madridi ka shpenzuar 200 milionë euro më shumë sesa që ka fituar këtë verë, që është limiti që i lejohet nga UEFA.

(Kosova Sot Online)