E bleu këtë verë, por Real Madridi po mendon ta huazojë menjëherë Jovicin

  • 14 August 2019 - 13:33
E bleu këtë verë, por Real Madridi po mendon ta huazojë menjëherë Jovicin

Parasezoni ka qenë i vështirë për të gjithë në Real Madrid dhe këtu përfshihet edhe sulmuesi i ri, Luka Jovic, i cili nuk ka shënuar ende për klubin e tij të ri.

Paraqitjet jo edhe aq mbresëlënëse të sulmuesit serb erdhën edhe për shkak të një lëndimi, mirëpo në vendlindje të Jovicit thuhet se ai nuk ka arritur ta bindë Zinedine Zidanin për talentin e vet dhe se mund të huazohet për sezonin e ardhshëm.

Edhe pse gjatë këtij afati kalimtar të verës Jovici e bëri ëndrrën e tij – për të luajtur për Real Madridin – realitet, vetëm pas disa javëve ai mund të përballet me një huazim në ndonjë klub tjetër.

Megjithatë, e përditshmja spanjolle, Marca, thotë se përkundër këtyre raportimeve, ka shumë pak mundësi që Jovici të huazohet me të vërtetë këtë verë.

Mundësia e largimit në formë huazimi nuk është në planet e futbollistit, pasi që ai është i  bindur se do të fillojë të shënojë gola dhe se do ta fitojë një vend në formacionin e parë të madrilenëve.

Megjithatë, këto lajme i kanë alarmuar disa klube në Serie A. Sipas Football Italia, të interesuar për Jovicin mund të jenë veçanërisht Interi dhe Roma, të cilët për momentin janë në bisedime për të ardhmen e Edin Dzekos.

Jovici i shënoi 36 gola në dy sezonet e tij me Eintracht Frankfurtin. 27 prej këtyre golave u shënuan gjatë sezonit 2018/19. 

(Kosova Sot Online)