“Lukaku ishte shumë i trashë për Man Unitedin”

  • 16 August 2019 - 10:46
“Lukaku ishte shumë i trashë për Man Unitedin”

Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Gary Pallister, beson se Romelu Lukaku ishte shumë i rëndë për ta vazhduar karrierën e tij në “Old Trafford edhe këtë sezon.

Ish-sulmuesi i Evertonit u shit në Inter para se të fillojë sezoni i ri i Premierligës. Në mungesë të tij, “Djajtë e kuq” shkëlqyen në ndeshjen kundër Chelseat me fitore bindëse 4:0.

Dhe sipas Pallisterit, stili i lojës që Ole Gunnar Solskjaer dëshiron ta luajë këtë sezon me skuadrën e Manchester Unitedi bëri që të mos ketë vend në formacion për Romelu Lukakun, për shkak të peshës së tij.

“Mendoj se Lukaku është një golashënues që do të shënojë shumë gola. Por për mënyrën se si Manchester Unitedi dëshiron të luajë tash, ai është shumë i trashë”, tha Pallister në një intervistë të dhënë për AmericanGambler.com.

“Ju e shihni shpejtësinë në lojën aktuale të tyre; ndoshta Ole e shikoi Lukakun dhe mendoi se ai s’mund ta implementojë stilin e lojës që e dëshiron me të në fushë. Ai ishte tepricë në këtë skuadër”.

“Ai është golashënues, një golashënues instinktiv. Ai nuk është sulmuesi më i rrezikshëm, por i shënon 15-20 gola brenda një sezoni. Por, Manchester Unitedi po e kërkon një lojtar më të gjithanshëm”.

“Ole luan me Lingardin, Martialin dhe Rashfordin dhe kjo bënte që Chelsea të gabonte qysh në fazën e mbrojtjes për shkak të presionit. Kështu që, kur ti e bën këtë gjë, ke më shumë hapësirë dhe shënon më shumë gola”.

Manchester Unitedi do të tentojë ta dëshmojë edhe një herë se nuk ka nevojë për Lukakun, kur të luajë kundër Wolves të hënën. 

(Kosova Sot Online)