Mitrovica e mëson kundërshtarin 1/16 e finales në Ligën e Kampionëve

  • 16 August 2019 - 15:25
Mitrovica e mëson kundërshtarin 1/16 e finales në Ligën e Kampionëve

Në fazën e 1/16 të finales së Ligës së Kampionëve, kampionet e Kosovës, Mitrovica, do të përballen me vajzat e Wolfsburgut.

Mitrovica ka shkruar historinë në futbollin e vajzave në Kosovë këtë vit, pasi që paraqitjet e saj ia kanë siguruar një vend në mesin e 32 skuadrave më të mirë në Ligën e Kampionëve.

Kjo ishte hera e parë që edhe Kosova e edhe Shqipëria u përfaqësuan në rundin e 32 skuadrave më të mira të Ligës së Kampionëve së vajzave.

Prej sezonit 2012/23, Wolfsburgu ka qenë katër herë në finale të Ligës së Kampionëve, në dy prej të cilave fitoi medaljen e artë e në dy atë të argjendtë. Në tre sezonet e tjera ka arritur dy herë deri në çerekfinale, ndërsa një herë deri në gjysmëfinale.

Sezonin e kaluar, vajzat e Wolfsburgut i fituan të dy trofetë vendore, duke u shpallur kampione në Frauen-Bundesliga dhe DFB Pokal.

Në anën tjetër, Mitrovica garoi në Ligën e Kampionëve të vajzave për herë të parë në sezonin 2018/19, megjithatë atë sezon ajo i humbi në tri ndeshjet në rundin kualifikues.

Për dallim nga ai sezon debutues, këtë herë Mitrovica ishte shumë më mbresëlënëse pasi që i fitoi të tria ndeshjet në rundin kualifikues dhe tani synon fitore edhe kundër Wolfsburgut, përkundër që është kundërshtar i vështirë. 

Image

(Kosova Sot Online)